Tetë biznese të sekuestruara nga Gjykata e Krimeve të Rënda janë nxjerrë në shitje. Vlera e këtyre bizneseve arrin në më shumë se 1.5 milionë dollar dhe janë nxjerrë në shitje nga Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara, strukturë në varësi të Ministrisë së Financave.
Tetë bizneset në fjalë janë sekuestruar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendime, të cilat janë lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë. Mes tyre bie në sy një hotel 5 katësh thuajse i përfunduar në Ujin e Ftohtë në Vlorë, i cili është nxjerrë në shitje për një vlerë prej rreth 900 mijë eurosh. Një tjetër biznes përbëhet nga dy objekte bashkë me një sipërfaqe të madhe trualli me vlerë prej rreth 100 mijë dollarësh. Pjesa tjetër e bizneseve të nxjerra në shitje janë kryesisht njësi tregtare. Viti i shkuar ka shënuar një bum sekuestrimesh e konfiskimesh të pasurive të dyshuara si produkt i krimit të organizuar, veprave penale apo financuese të terrorizmit.
Në total, 66 pasuri të paluajtshme dhe 11 biznese të dyshuara si produkt i krimit të organizuar, veprave penale apo financuese të terrorizmit i janë kaluar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara gjatë vitit 2016. TV Scan ka zbardhur raportin zyrtar të kësaj Agjencie për vitin e shkuar, sipas së cilës vlera e 11 prej këtyre pasurive të paluajtshme arrin në rreth 2.6 milionë dollar. Paralelisht agjencia ka marrë nën administrim edhe 30 llogari bankare të sekuestruara.