Me rezultatet e referendum të së dielës, ka shumë mundësi që Maqedonia të kalojë në zgjedhje të parakohshme.
Në referendum votuan rreth 36% e atyre që kishin të drejtë për të votuar e përkthyer në numra në 623 mijë qytetarë.
Nga këta votues, deri më tani rezulton se 91% e tyre ka votuar pro, ndërsa 5.7% ka votuar kundër emrit të ri të Maqedonisë. Deri më tani janë numëruar rreth 98% e kutive të votimit.
Pjesëmarrja në referendum është konsideruar e ulët, pasi nga 1.8 milionë maqedonas me të drejtë vote, ligjshmëria e referendumit kërkonte rreth 900 mijë vota.
Të dielën ky numër votimi nuk u arrit, duke i kaluar përgjegjësinë për vendosjen e emrit të ri, parlamentit, e nëse aty nuk gjendet dakordi, atëherë do vendi do të kalojë në zgjedhje të parakohshme.
Lajmin e konfirmon vetë kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, që në një konferencë të fundit për mediat mbrëmjen e djeshme, ka thënë se nëse nuk do të sigurohen 2/3 e votave në votimin në parlament, atëherë vendi do të kalojë në zgjedhje të parakohshme.
Zaev ka hedhur poshtë zërat për një dorëheqje të mundshme ndërkohë që opozita maqedonase e quan dështim.
Për rezultatet e referendumit ka reaguar edhe komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn. Hahn ka përshëndetur rezultatin në Twitter, dhe thekson se pret nga politika në Maqedoni që të merret përgjegjësia e mëtejshme.