Një biznesmen algjerian ka thënë se do të paguajë të gjitha gjobat me të cilat përballen gratë myslimane në Danimarkë që zgjedhin të mbulojnë fytyrën, pasi qeveria daneze më 6 shkurt propozoi ndalimin e mbulesës së fytyrave në hapësirën publike. Masa ende nuk është miratuar përfundimisht.
Duke folur para parlamentit danez, Rasheed Nekkaz tha të shtunën se kishte paguar tashmë 1 538 gjoba për gratë që përballeshin me rrethana të ngjashme në gjashtë vende, duke përfshirë Francën, Belgjikën, Zvicrën, Holandën, Austrinë dhe Gjermaninë.
Nekkaz është i njohur për pagimin e gjobave të grave që veshin mbulesa të kokës ose burka, pasi rrobat u ndaluan në shumë vende evropiane, përfshirë Francën, në vitin 2010.
Biznesmeni algjerian dhe aktivistët politik grumbulluan një fond prej një milion euro për të paguar këto gjoba.
“Qeveritë në Evropë nuk japin zgjidhje për myslimanët që të përshtaten në Evropë, prandaj komunitetet myslimane në Evropë duhet të jenë shumë më të fortë për të mbrojtur interesat e tyre”, tha ai.
“Është shumë e rëndësishme për mua që të jem në gjendje t’u jap qeverive evropiane mesazhin për kufizimin e lirisë që ata nuk mund të bëjnë ç’të duan”, tha ai.
“Nëse në një vend vendoset ndalimi i vellove, unë do të jem ai që paguan gjobat e tyre,” shtoi ai.
Nekkaz tha se para Danimarkës, ai udhëtoi për në Iran për të mbështetur lirinë e 29 grave të arrestuara më 8 mars, të cilat hoqën mbulesën në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Arsyeja për të cilën jam këtu nuk është mbrojtja e fesë, por mbrojtja e lirisë. Parimi i lirisë është një e drejtë universale”, tha ai.
“Kështu që unë mbroj lirinë e atyre që duan të mbajnë vello në Evropë dhe atyre që nuk duan të mbajnë vello në Iran”, tha ai.
Nekkaz tha se është e rëndësishme që qeveria daneze të kuptojë se gratë mbajnë vello në vullnetin e tyre të lirë.