Kombëtarja shqiptare zhvillon sot në orën 20:45 një nga ndeshjet më të rëndësishme kualifkuese “Francë 2016”. Djemtë e De Biazit do të përballen në Kopenhagen me kombëtaren vendase të Danimarkës. Një takim direkt për vendin e dytë mes këtyre dy skuadrave, që luftojnë për një vend në Europianin e Francës. Në kampin kuqezi ka optimizëm për një rezultat pozitiv, ku shpresohet të paktën një barazim.
Kuqezinjtë kanë mbërritur mbrëmjen e së enjtes në Kopenhagen, ku janë pritur nga shumë tifozë, të cilët kanë udhëtuar drejt Danimarkës për të ndjekur ekipin e tyre. Nga sa bëhet e ditur, të paktën 4000 tifozë kuqezi priten të jenë të pranishëm në stadium në mbështetje të kombëtares. Në takimin ndaj Danimarkës, trajneri De Biazi duhet t’i bëjë llogaritë pa mbrojtësin e djathtë Hysaj, i cili nuk i’a ka dalë të riaftësohet dhe do të jetë mungesa kryesore në këtë takim dhe në vendin e tij pritet të startojë Xhimshiti. Kështu, Shqipëria pritet t’a nisë takimin me Berishen në portë, në mbrojtje me Agollin dhe Xhimshitin nga krahët, ndërsa në qendër do të jenë Cana dhe Ajeti. Mesfusha do të ndërtohet nga Abrashi, Kukeli dhe Xhaka, kurse dyshja Lenjani – Gashi do të ndihmojnë Cikalleshin, i cili do të jetë i vetëm në sulm.Nga ana tjetër, edhe danezët do të kenë mungesa ndaj Shqipërisë, ku për trajnerin Olsen nuk do të jenë të gatshëm, sulmuesi Eriksen dhe mbrojtësit Boilesen dhe Poulsen. Pavarësisht mungesave, kombëtarja e Danimarkës do të kërkojë me ngulm fitoren dhe presioni më i madh është te trajneri Olsen, ku një humbje me Shqipërinë do t’i kushtonte stolin. Danimarka dhe Shqipëria janë përballur 9 herë me njëra – tjetrën në eliminatoret e Botërorit dhe Europianit, ku danezët rregjistrojnë 6 fitore, 2 takime janë ndarë në barazim, ndërsa Shqipëria ka fituar vetëm 1 herë. Te dyja ekipet ndodhen në Grupin I dhe kanë nga 10 pikë, por kombëtarja daneze rënditet në vendin e dytë për shkak të golavarazhit, ndërsa kuqezinjtë kanë 1 ndeshje më pak.