Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për darkën informale që u organizua nga kryeministri grek Mitsotakis, por që Shqipëria nuk mori pjesë, pasi Begaj refuzoi ftesën. Meta shkruan se Partia e Lirisë është kundër qëndrimit të kryeministrit Rama, që sipas tij po zbaton një politikë të jashtme personale, kundër interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes perëndimore të Shqipërisë.

Postimi i plotë

Përshëndes deklaratën e miratuar nga 11 liderët e Europës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut, i cili hapi rrugën e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.

Ne jemi të bindur, që kjo është rruga e vetme për këtë rajon të rëndësishëm, sidomos për kushtet gjeopolitike sot në botë. Përshëndes pjesëmarrjen e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe atë të merituar të Republikës së Kosovës, duke menduar gjithmonë, se politika e integrimit europian është një politikë bashkimi dhe jo përjashtimi, një politikë që përshtatet me filozofinë e Procesit të Berlinit duke përjashtuar nismat individuale që krijojnë tension. Partia e Lirisë është kundër qëndrimit të kryeministrit Rama, që vazhdon të zbatojë një politikë të jashtme personale, kundër interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes perëndimore të Shqipërisë. Shqipëria nuk mund të ishte e munguara e madhe në takimin e prespektivës europiane të rajonit tonë dhe të linte vendin bosh në mesin e vendeve me të cilat bashkëndajmë vlerat europiane. Partia e Lirisë dhe opozita shqiptare mbetet e angazhuar që rruga europiane e Shqipërisë të mos thyhet nga elementë dhe situata të interesave personale, ndaj do të vijojmë pa kompromis rrugën tonë për të realizuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo rrugë do të behej më e lehtë nëse dhe investimi i Bashkimit Europian dhe i perëndimit për rajonin tonë, do të fokusohej me prioritet për funksionimin e shtetit të së drejtës, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftën ndaj pushteteve autokratike.

Është jetike për ne dhe të gjithë Europën që në situatën sot kërcënuese gjeopolitike, siç ka treguar agresioni rus ndaj Ukrainës, të jemi të bashkuar rreth vlerave dhe parimeve europiane. Ne përkrahim vendosmërinë e deklaratës së djeshme për Ukrainën dhe Moldavinë për të qenë pjesë e proceseve integruese në familjen europiane. 20 vjet me parë Shqipëria ishte përpara Malit të Zi dhe Serbisë në procesin e integrimit europian, ndërsa ka shënuar nje vonesë historike në dekaden e fundit vetëm për shkak të minimit të reformave të besueshme për qëllim të kapjes së shtetit në çdo qelizë nga Kryeministri aktual. Ndaj beteja për çkapjen e shtetit dhe institucioneve të pavarura mbetet vendimtare për të ardhmen europiane të vendit.

Artikulli paraprakSHKODËR, DIGJET BANESA 2 KATËSHE, 5 FAMILJE MBETEN TË PASTREHA
Artikulli tjetërIMPORTET E BULMETIT PO ZAPTOJNË TREGUN, RRITJE ME 23% NË 7-MUJOR