Korrupsioni i përhapur, ligjet e paqarta dhe rregullat që ndryshojnë shpesh, trysnia dhe lidhjet politike e problemet e trashëguara me të drejtën e pronësisë, janë disa nga faktorët që e bëjnë të pafavorshme mundësinë e të bërit biznes në Shqipëri.
Një raport i hartuar nga Zyra ekonomike dhe e Çështjeve të biznesit në Departamentin amerikan të Shtetit për Klimën e investimeve vëren se “pavarësisht dëshirës së shprehur të Qeverisë për të tërhequr investimet e huaja, korrupsioni në Shqipëri është endemik, veçanërisht në sektorin gjyqësor, ndërsa respektimi i kontratave dhe pronës private mbeten të ulëta.
Zbatimi i Reformës në Drejtësi sapo ka filluar por klima e investimeve mbetet problematike dhe Shqipëria perceptohet si një vend i vështirë për të bërë biznes”. Sipas raportit “investitorët shprehin shqetësime për një legjislacion dhe rregulla që interpretohen me vështirësi dhe nuk janë koherente, e që përdoren si instrumente për të shkurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar shoqëritë me lidhje politike.
Ligjet që rregullojnë aktivitetin e sipërmarrjeve ndryshojnë shpesh dhe pa ndonjë konsultim domethënës me komunitetin e biznesit. Investitorët më të mëdhenj të huaj, denoncojnë trysninë që të nënkontraktojnë kompani me lidhje politike. Denoncimet për korrupsion në tenderat publik janë të zakonshme. Vitin e kaluar shumë kompani amerikane u ankuan se ishin skualifikuar nga garat publike ndonëse oferta e tyre kishte qenë më e ulët, ndërsa qeveria kishte shpallur fituese kompani lokale”.
Sipas dokumentit “e drejta e pronësisë mbetet një tjetër sfidë në Shqipëri, pasi ta marrësh një titull të pastër pronësie është e vështirë. Disa faktorë, përfshijnë dhe aktorë të paskrupullt të cilët manipulojnë sistemin e korruptuar gjyqësor për të marrë tituj pronësie mbi toka që nuk u takojnë. Edhe kompensimi i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist është i vështirë për t’u marrë dhe i papërshtatshëm”.
Raporti vlerëson se një kthesë e situatës mund të vijë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, veçanërisht për luftën kundër korrupsioni “i cili minon shtetin e së drejtës dhe komprometon zhvillimin ekonomik. Miratimi nga parlamenti në korrik të vitit 2016 i ndryshimeve kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor ishte një hap i madh përpara, dhe reforma, pas zbatimit, duhet ta bëjë vendin më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”.
Sipas dokumentit “Reforma në Drejtësi është përshkruar si zhvillimi më domethënës në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Gati një e treta e kushtetutës është rishkruar. Reforma përfshin gjithashtu dhe miratimin e ligjeve që do të garantojnë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese”. Raporti veçon procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili “do të garantojë që ata që kanë pasuri të pajustifikueshme, një formim të pamjaftueshëm, apo që në të kaluarën kanë marrë vendime të diskutueshme, do të largohen nga sistemi.
Reforma parashikon një Prokurori të pavarur dhe një agjenci të specializuar hetimi që do të hetojë dhe ndjekë korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Sipas dokumentit “nëse do të zbatohet plotësisht, reforma do të shkurajojë korrupsionin, do të nxisë investimet e huaja dhe vendase duke bërë të mundur që Shqipëria të konkurrojë me një sukses më të madh në ekonominë globale”.