“Dasma e Skenderbeut” e organizuar nga të rinjtë e bashkisë Vau Dejës mbërriti edhe në qytetin e Shkodrës. Kjo shfaqje artistike u mundësua në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” pranë famullisë “Zoja e Shkodrës”.
Të gjithë të ardhurat nga kjo shfaqje thotë një prej organizatoreve Valbona Mulaj tha se do të shkojnë për fëmijët me aftësi ndryshe të bashkisë Vau Dejës, familjet e të cilëve janë edhe në vështirësi ekonomike për t’iu ardhur sado pak në ndihmë.
“Dasma e Skenderbeut” ka shëtitur në shumë qytete brenda dhe jashtë Shqipërisë duke shkuar deri në Vjenë të Austrisë duke patur sukses. Të rinjtë e bashkisë Vau Dejës janë vlerësuar për përkushtimin ndaj kësaj shfaqje artistike dhe dëshirën e tyre për ta përhapur edhe jashtë vendit. “Dasma e Skenderbeut” për herë të parë nga rinjtë e bashkisë Vau Dejës u vendos më 16 korrik në gurët e lashtë të Kishës së Shën Mërisë aty ku mendohet se 573 vite më parë u kurorëzua dasma arbërore e Skenderbeut me Donikën. Kisha e Shën Mërisë ku mendohet se mund të jetë vendi ku Skenderbeu lidhi dashurinë e tij me Donikën, u ndërtua në shekullin e XIII. Ajo kishë ishte e vetmja e stilit romak që ruhej në Shqipëri derisa komunizmi e shembi me tritol në vitin 1967 duke sjellë kështu një humbje të madhe të trashëgimisë kulturore.