“Dasma Shkodrane”, një emblemë e kulturës shqiptare mbushi zemrat e publikut shkodran në një mbrëmje të veçenatë në muzeun historik “Oso Kuka”. Instrumentistët dhe këngëtarët e rinj të Archestra të drejtuar nga maestro Lorenc Radovani për të katërtin vit me radhë përzgjodhën disa prej perlave të muzikës shkodrane që i jepnin dikur por edhe sot gjallëri dasmave, festave të ndryshme dhe jetës së qytetit.
Këtë vit “Dasma Shkodrane” erdhi si bamirësi pasi të ardhurat e biletave dhe fitime të tjera do të shkojnë për trajtimin e fëmijëve autik në Shkodër. Kjo e shtoi dyfish emocionin për artistët shprehet maestro Radovani. Nismëtari i këtij aktiviteti bamirësie që zhvillohet për të dytin vit në Shkodër Xhaneto Harusha thotë se e veçantë është që të ndihmojmë të tjerët duke shijuar të bukurën. Ajo për të cilën violinisti i njohur Radovani ka këmbëngulur në këto dy vite të rikthimit të Dasmës Shkodrane është që të jetë sa më autoktone larg ngjyrimeve të huaja të muzikës. Lënia e Dasmës Shkodrane në hije për vite me radhë ka sjellë një vonesë në ridimensionimin e saj për publikun e gjërë shqiptar. Kjo mbrëmje erdhi në momentin e duhur sepse shtatori është shpallur muaji i trashëgimisë kulturore dhe Shkodra prezantohet pikërisht me Ahengun Shkodran.
Publiku shkodran i pranishëm në mjediset e muzeut “Oso Kuka” shijoi këtë mbrëmje me këngët e “Dasmës Shkodrane”, një gjurmë qytetarie e pavdekshme në doket, zakonet dhe artin shqiptar trashëguar deri në ditët e sotme.