Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, i cili ngriti në këmbë policinë shqiptare dhe atë italiane pasi inskenoi vdekjen e tij në Pukë, ka deklaruar se është gati të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me burgun.
Ndaj Pecorellit në vendin tonë rëndojnë akuzat e zjarrvënies së makinës dhe dhunim varresh, akuza jo shumë të rënda, por që mund ta çojne atë në burg.
“jam i gatshëm të përfundoj pas hekurave në Shqipëri. I kam kërkuar falje të gjithëve atje, përfshirë kryetarin e bashkisë Pukë dhe komunitetit. Fatkeqësisht kam bërë disa gabime. Kur mbërrita në Tiranë në janar po kaloja një moment shumë të vështirë në jetën time, u përpoqa të bëja vetëvrasje, por siç e kam thënë, prifti që takova rastësisht më shpëtoi jetën.
Por nëse burgu më jep mundësinë më pas që të jem qytetarë i lirë dhe në Shqipëri, atëherë jam gati për çdo gjë. Ai është një vend që e dua”, ka thënë ai.
Për ‘lazione.it’, ai ka treguar edhe se flet me miqtë që bëri në Vlorë, ku ndenji për disa javë pasi u zhduk.
“Flasim shpesh me njëri-tjetrin. Në fillim nuk më besonin, por tani më kërkojnë vazhdimisht për të shkuar atje”, tregoi ai.
Davide Pecorelli humbi në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa kishte shumë pikëpyetje në lidhje me atë se çfarë i kishte ndodhur biznesmenit italian, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë.
Pas 9 muajve i shpallur i zhdukur, ai u gjet në një gomone pranë ishullit Montecristo. Pecorelli kishte disa biznese në Shqipëri dhe ishte martuar me një shqiptare me të cilën kishte edhe një fëmijë.