Ai, Klaus Schwab-i nuk është fajtor. As Forumi Botëror Ekonomik i krijuar prej tij në vitin 1971.
Ai nuk është fajtor për pabarazinë ekonomike në shumë shoqëri, nuk është fajtor për rritjen e frikës ndaj globalizimit, nuk është fajtor për lëvizjet kundërshtare populiste, sukseset e tyre në votën pro Brexit në Britaninë e Madhe dhe SHBA. Kështu mund të kuptohet konferenca e shtypit para hapjes së Forumit Botëror Ekonomik në Davos, për të 47 herë. Schwab-i lexoi një tekst, të shkruar para më shumë se 20 vitesh. Aty ai kishte paralajmëruar për populizmin dhe kishte kërkuar që globalizimi duhet t’ia vlejë për shumicën e popullsisë dhe jo për një elitë të vogël. Ajo që vlen edhe sot sipas Schwab: “Çdo përpjekje që ofron zgjidhje të thjeshta për problemet komplekse globale është e dënuar të dështojë. Nuk duhet të besojmë vetëm tek zgjidhjet populiste”. Për këtë ai e sheh forumin në Davos si një forum opozitar.
Takim vjetor i elitës globale.
Megjithatë takimi në Davos është një takim vjetor i elitës globale si asnjë takim tjetër. Këtu takohet pushteti politik me fuqinë financiare. Prej vitesh proklamohet se më shumë globalizim, më shumë tregti ndërkufitare e më pak barriera për investitorët e kapitalit do ta bëjnë botën një vend më të mirë. Por këto po vihen gjithnjë e më shumë në dyshim. Janë pikërisht qytetarët në demokracitë perëndimore që dyshojnë tek globalizimi, e nëse konkurrenca botërore e lidhur me të po u sjell më shumë disavantazhe se përfitime. Klaus Schwab-i kërkon më shumë solidaritet dhe kompensim. “Çdo ekonomi tregu shkakton humbës dhe fitues”, thotë ai. „Sistemi funksionon vetëm nëse reziston solidariteti mes humbësve dhe fituesve.” Prandaj motoja e këtij viti në Davos: „Lidership të aftë për kompromis dhe të përgjegjshëm”. Me këtë aludohet largimi i pjesëve të mëdha të elektoratit nga elitat e veta dhe humbja e besimit tek institucionet.
Kush vjen – kush qëndron larg
Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk do të marrë pjesë, zyrtarisht për arsye pune. Në vend të saj shkon në Davos, ministri i Financave, Wolfgang Schäuble dhe ajo e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Edhe presidenti francez, Francois Hollande do të qëndrojë në shtëpi, po ashtu kryeministri italian, Paolo Gentiloni. Por të paktën Davos do të mirëpresë kryeministren britanike, Theresa May, por nuk besohet që në Davos, ajo do të paraqesë planet konkrete për Brexit. Nga SHBA mungojnë politikanë të rëndësishëm, sepse Donald Trumpi, më 20 janar, ditën e fundit të punimeve të forumit bën betimin. Pritet vetëm ish-menaxheri i Hedge Fonds, Anthony Scaramucci. Trumpi megjithatë do të dominojë forumin e këtij viti. Do ta izolojë ai Amerikën? Do të shfuqizojë marrëveshjet për tregtinë e lirë dhe ato për klimën? Si do të veprojë ai ndaj Kinës? Por organizatori i forumit megjithëse mungojnë politikanë të rëndësishëm e ka edhe asin në dorë, që do të bëjë të drejtohet vëmendja në Davos. Xi Jinping do të jetë pjesë e forumit dhe do të mbajë një fjalim. Kjo është vizita e parë e një presidenti kinez në Davos, nga viti 2003.
Rekorde të reja
Më shumë se 3000 politikanë të nivelit të lartë, bosë të ekonomisë do të marrin pjesë në Davos- më shumë se kurrë më parë. Po ashtu pritet edhe Sekretari i ri i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Schwab thotë se „të gjitha fondet e mëdha shtetërore do të jenë të përfaqësuara në Davos. Por edhe superinvestitorët si Ray Dalio, kreu i degës Bridgewater, dega më e madhe e Hedgefondeve, por edhe themeluesi i Microsoftit, Bill Gates do të vijnë në forum. Sepse në Davos një ritual ka traditë: Krerët e politikës përpiqen të bindin elitën financiare të investojë në vendet e tyre. Në Davos nuk mungon as kultura. 40 artistë të nivelit botëror të quajtur në Davos si “liderë të kulturës” do të jenë pjesë e forumit. Sipas Emma Benameur-it, përgjegjëse për programin. „Ne punojmë me liderët e kulturës, sepse ata e mbajnë veshin në popull dhe mund t’u thonë të fuqishmëve të vërtetën.”