Trajneri i kombëtares kuqezi, Gianni de Biasi doli në një konferencë për shtypë mesditën e sotme ku komentoi zgjedhjet e bëra për vendosjen e listës përfundimtare, e cila u publikua një ditë më parë dhe jashtë së cilës mbetën Gjimshiti, Rashica, Rrahmani dhe Shala.

“Zgjedhjet që kam bërë janë ekskluzivitet i imi. Kemi arritur deri këtu falë zgjedhjeve që kam bërë në të kaluarën. U tregova i drejtpërdrejtë me lojtarët. Ata duhet ta pranonin vendimin pasi që në fillim e dinin që 4 lojtarë do të largoheshin. Vendimi është marrë në bazë të punës që kemi zhvilluar gjatë kësaj faze në Austri, ndërsa është marrë parasysh aspekti teknik, si dhe fizik dhe më pas kam vendosur për lojtarët që janë më të gatshëm për ekipin”, u shpreh De Biasi. I pyetur veçanërisht për lënien jashtë listës të Gjimshitit dhe Rashicës, De Biasi dha arsyet e largimit të tyre nga grupi. “Gjimshiti nuk ka luajtur thuajse prej një viti. Rashica ka luajtur shumë minuta këtë sezon me ekipin e Vitesse-s. Ai është një talent i madh, por ai nuk ka qenë pjesë e Shqipërisë në fazën eliminatore, ka luajtur pak minuta me Luksemburgun dhe Katarin. Ai është pjesë e së ardhmes”, u shpreh De Biasi.

Artikulli paraprakRIORGANIZOHET GRUPIMI “DHJETOR ‘90”: EDHE PD PËRGJEGJËSE
Artikulli tjetërSTAR TREND – 01.06.2016