Giani De Biazi mund të jetë trajneri i ri i Italisë dhe palët mund të arrijnë një marrëveshje para Europianit të Francës.

 Mediat italiane zbulojnë se kontaktet mes De Biazit dhe Federatës vijojnë prej kohësh dhe se kandidatura e De Biazit është më konkretja mes emrave të tjerë të përfolur. Xhani De Biazi është kandidatura që po fiton terren gjithnjë e më tepër për të qenë trajneri i Kombëtares italiane pas largimit të Antonio Kontes. Sipas medias italiane pavarësisht se emrat që qarkullojnë janë Guidolin, Donadoni dhe Kapello,emri i De Biazit po fiton terren si një kandidaturë potenciale për të marrë drejtimin e Axurrëve. Portali sportiv italian Calciomercato.it përmend dhe faktin se De biazi që arriti një kualifikim historik për ekipin shqiptar në Europianin e Francës ka patur kontaktet e para me Federatën italiane në 7 marsin e kaluar.  Po sipas këtyre burimeve kontaktet mes palëve kanë vijuar edhe më pas , edhe pse nuk është folur për një kontratë të mundshme pasi Italiani është i lidhur me Federatën shqiptare deri në vitin 2017.  Portali italiani thekson se pista është shumë konkrete, pasi palët janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje, madje edhe para Europianit sic është shprehur presidenti i Federatës Italiane të Futbollit Tavekio.  Gjithashtu mes palëve është folur për projektin për të sjellë sa më shumë të rinj të talentuar në Kombetaren italiane.  Pra duket se emri i De Biazit është më tepër se një kandidaturë për Kombëtaren italiane që mund të konkretizohet shumë shpejt.  Ndërkohë mbetet për të parë se cili do të jetë dhe reagimi i Federatës shqiptare ndaj këtyre zhvillimeve.  Deri tani Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka është shprehur se De Biazi ka rinovuar kontratën me Kombëtaren kuq e zi deri në 2017 , kontratë të cilin ai duhet ta respektojë. 

Artikulli paraprakPAPA FRANÇESKU TAKOHET ME EMIGRANTËT NË LESBOS TË GREQISË
Artikulli tjetërCUNGU I VENDOSUR: VLLAZNIA NDAJ PARTIZANIT PËR REZULTAT POZITIV