Deputetët e PD dhe LSI kanë braktisur Komisionin e Ekonomisë, pas debateve për lirimin e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe mos dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Report Tv mëson se i vetmi deputet që ndodhet në mbledhje është ai i LSI, Edmond Haxhinasto.
Ka qenë kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, që ka debatuar me kryetarin e komisionit, socialistin Erjon Braçe.
Spaho është ndalur në dy çështje, pikërisht te mos dorëheqja e ministrit Fatmir Xhafja dhe te lirimi i ish-ministrit Saimir Tahiri, duke thënë se këto janë fakte që mazhoranca ka kapur drejtësinë.
Sa i takon deklaratave të ambasadorit amerikan, Donald Lu, për presionin dhe paratë ofruar gjyqtarëve, Spaho tha se pas kësaj fshihen elementë të mazhorancës. Në përgjigjen e tij të shkurtër, Braçe ironizoi demokratët, teksa tha se nuk e di kur ata janë seriozë, kur hedhin valle apo kur flasin në komision.
Edmond Spaho: Xhafaj me të vëllanë janë të lidhur me rastin e ‘Xibrakës’. Me mos dorëheqjen e Xhafajt dhe me lirimin e Tahirit po i prehet rruga drejtësisë.
Dje u vërtetuan ato që kanë thënë opozita, që doni ta kapni për fyti sistemin e drejtësisë. Ata katër fakirët e Kukësit rrinë në burg, Tahiri e Mark Frroku gjezdisin të lirë. Referojuni fjalës së ambasadorit amerikan, që tha se është ushtruar presion dhe janë ofruar para për lirimin e Tahirit.
Kush ushtron presion dhe ofron para? Mazhoranca dhe kjo është shumë e rëndë. ne do vazhdojmë përpjekjet tona që të plotësohet së paku kushti themelor për hapjen e negociatave.
Nëse ato dështojnë, është përgjegjësia juaj, dhe ju do përballen edhe më ashpër me zemërimin e qytetarëve të këtij vendi.
Erjon Braçe: Nuk e di kur jeni seriozë, kur hidhni valle apo kur flisni këtu. S’ka asnjë lidhje me ne presioni te gjykatësit, janë ata që keni emëruar ju. Nuk dua të bëj replikë me ju, se e di që do vazhdosh të këndosh.
Spaho: Janë deklaratat e ambasadorit Donald Lu.