Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për herë të parë për dëbimin e ambasadorit të Iranit nga Tirana.

Lleshaj u shpreh se ka pasur evidenca se anëtarët e MEK në Shqipëri kanë qenë të kërcënuar, ndërsa shtoi se qeveria e Iranit njihet si një qeveri që sponsorizon terrorizmin ndër vite.

“Kemi pasur edhe evidenca të ngjashme në vende të tjera të botës, ku anëtarët e MEK kanë qenë të kërcënuar.Nuk mund të flas se ka ndërlidhje mes ngjarjeve, por ka tipologji ku anëtarë të forcave të sigurisë të kamufluar nën petkun e diplomatëve kanë tentuar. Dhe Shqipëria ka marrë atë masë që u bë e njohur.

Anëtarët e MEK janë pranuar për arsye humanitare dhe jo për arsye politike. Shqipëria nuk ka asnjë axhendë të lidhur me ta. Ne nuk i konsiderojmë risk për sigurinë tonë, ne i kemi pritur si miq. Qëndrimi ynë ndaj tyre është një qëndrim pa asnjë lloj paragjykimi.

Qeveria e Iranit njihet si një qeveri që e sponsorizon ndër vite terrorizmin. Për sulmin e përgatitur në ndeshjen Izrael-Shqipëri nuk mund të nënkuptojmë askënd” tha ai në Real Story.

Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit në vendin tonë pak ditë më parë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare.

Gjithashtu është dëbuar dhe shpallur “non grata” edhe një diplomat tjetër i ambasadës iraniane, Mostafa Roudaki, shefi i stacionit të Ministrisë së Inteligjencës.

Gholamhossein Mohammadnia akuzohej edhe nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria e agjenturore e Iranit në Shqipëri

Artikulli paraprakU SHKARKUAN NGA VETTINGU, KLGJ MBLIDHET PËR TË ZËVËNDËSUAR KRYETARËT E GJYKATAVE NË PUKË, BERAT DHE KORÇË
Artikulli tjetërKËRCËNIMI I BERISHËS, RAMA IRONIZON: PËR VEZËT E GLASAT E KOTECIT TË SALIUT UNË RROJ 1 MIJË VJET