Pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë, ekspertët shohin një rrezik të shtuar për sigurinë në Shqipëri.

Sipas tyre, më të mundshme janë sulmet e izoluara kibernetike apo terroriste. Vendi ynë dëboi në mesin e javës së kaluar dy diplomatë iranianë, të identifikuar nga autoritetet si Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.

Ata u larguan “për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, shkroi në faqen zyrtare në Facebook, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Rreth një vit më parë, në dhjetor 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për “dëmtimin e sigurisë kombëtare”. Vendimi u përshëndet edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit,(DASH).

Por prania e muxhahedinëve disidentë është bërë shkak për acarim të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë. Ajo ka sjellë së fundi edhe përfshirjen indirekte të Shqipërisë në konfliktin mes SHBA dhe Iranit, kujton DW.

Irani e konsideron MEK një organizate terroriste, gjë që sjell një rrezik të shtuar prej regjimit të Iranit kundër sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Redion Qiriazi, ekspert për ҫështjet e sigurisë kombëtare, tha për DW se dëbimi i dy diplomatëve iranianë mund të pasohet me një situatë të rënduar të sigurisë kombëtare.

“Kërcënimi me i mundshëm është ai i sulmeve te izoluara kibernetike apo terroriste, ku Irani ka kapacitete të konsoliduara dhe të testuara. Këto sulme mund te ndërmerren në territorin shqiptar, por edhe në vendet ku Shqipëria ka trupa me misione ushtarake, në veçanti në Lindjen e Mesme apo Azinë Qendrore” është shprehur eksperti

Artikulli paraprakGRABITJA NË ALLIAS, POLICIA: AUTORËT HYNË NGA PAS BANESËS
Artikulli tjetërAKSION 48-ORËSH, ARRESTOHEN 25 SHOFERË DHE PEZULLOHEN 192 LEJE DREJTIMI