Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka përshëndetur deklaratën e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të CDU/CSU Johann Wadephul dhe relatorit për Shqipërinë, Christian Schmidt, pas dështimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat me BE.
Në një postim në facebook, Bardhi shkruan: “Mirënjohje për mbështetjen e ndershme dhe mesazhin e qartë që Bundestagu i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian përmes Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të CDU/CSU z. Johann Wadephul dhe relatorit për Shqipërinë, z. Christian Schmidt”.
Për Bardhin, mesazhi i deputetëve gjermanë është i qartë: “Pa plotësuar kushtet e vëna nuk ka asnjë mundësi për Shqipërinë për të hapur negociatat.Koha e propagandës ka mbaruar!”
Shqipëria, thekson Bardhi, nuk mund të mbetet peng i qeverisjes së dështuar dhe të refuzuar të Edi Rames.
Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe raportuesi përgjegjës Christian Schmidt përmes një deklarate nxisin dy vendet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për reforma.