Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të SPAK, Altin Dumani se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Basha tha se sulmet e politikës, inkurajojnë krimin që të kërcënojë drejtësinë. Basha ka përsëritur sërish se PD mbështet SPAK-un.
‘Deklarata e kreut të SPAK-ut se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori është një kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Çdo sulm i politikës ndaj sistemit të drejtësisë, nuk bën gjë tjetër vetëm se inkurajon krimin e organizuar të bëjë, gjithashtu, të njëjtën gjë.
Ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë dhe vijojmë t’i japim SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë mbështetje pa kushte. Vetëm një drejtësi e pasulmuar nga politika, do të jetë një drejtësi e duhur për të mirën e njerëzve. Vetëm një drejtësi që i shërben shqiptarëve, është një drejtësi imune ndaj çdo kërcënimi.’- shkruan Basha.