Kandidati republikan për president i SHBA-ve, Donald Trump, ka shkaktuar zemërim të madh, pasi ka sugjeruar që pronarët e armëve mund të përgjigjen në mënyrë të dhunshme ndaj rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.
Këto deklarata të Trump, ishin të fundit në serinë e komenteve të papritura, me të cilat duket se ka fituar mbështetje në mesin e disa votuesve, por e ka humbur përkrahjen nga republikanët e njohur. Trump ka thënë se do të ishte “ditë e tmerrshme” nëse Hillary Clinton do të zgjidhej dhe do të duhej t’i emëronte gjyqtarët e Gjykatës Supreme, që aktualisht e ka një vend të zbrazur, pas vdekjes së një gjyqtari më herët këtë vit. Pastaj Trump i është referuar Amendamentit të Dytë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që ka të bëjë me të drejtën për të pasur armë. “Nëse ajo (Clinton) i zgjedh gjyqtarët e saj, asgjë ju njerëz nuk mund të bëni”, i tha Trump. Me vonë njerëzit që punojnë për Trump kanë publikuar një deklaratë ku synohej qartësimi i komenteve, duke thënë se referenca e tij nënkuptonte se si ky amandament i bashkon njerëzit. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara zhvillohen më 8 nëntor.