Deklaratat e priftit malazez Radomir Nikčević se Kosova është tokë serbe në muajin janar në kishën e Vrakës në Shkodër shkaktuan një tërmet reagimesh të mëvonshme.
Edhe më tej, deklaratat morën ngjyra akoma më shqetësuese edhe nga pohimi i njërës prej shoqatave malazeze, “Rozafa Moraça”.
Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Dušan Mrdovic, shprehet i distancuar nga këto deklarata.
Sipas tij, Kosova është një shtet i pavarur dhe njihet nga Mali i Zi. Si e tillë, deklaratat të tilla nga individë të ndryshëm nuk do të thonë asgjë për Malin e Zi.
Të njëjtin qëndrim mban edhe shoqata tjetër e pakicës malazeze, Alba-Montenegro.
Në vitet e fundit, edhe pse Kosova ka shpallur mëvetësinë e saj, nuk kanë munguar deklaratat kundër nga fqinjët verior. Megjithatë, Mali i Zi gjithmonë është tërhequr nga deklarata të tilla.