Deklaratat e pasurisë, apeli rrëzon sërish Kryeprokurorin
Rrëzohen dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë, 6 kërkesat e njësisë hetimore Task-Forcë, për sekuestrimin e formularëve elektronikë të deklarimit të pasurinë pranë institucionit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, e Konfliktit të Interesit. Vendimi është marrë nga treshja e gjyqtarëve Artur Kalaja, Evgjeni Sinoimeri dhe Artur Gaxhi. Hetimin me iniciativë të vetë kryeprokurorit Llalla, gjykata e ka quajtur si të paargumentuar në indicie dhe prova dhe nisur nga kjo situatë, ka vendosur të hedhë poshtë 6 vendimet e prokurorisë që kërkoi sekuestrimin e regjistrave, deklaratave elektronike etj. Rrëzimi i vendimeve të prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e deklaratave të pasurisë në ILDKPKI, ka ardhur vetëm pak ditë pasi gjykata e Tiranës, i kishte rrëzuar këto kërkesa. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës,nënvizohet: ”…dokumentat mund të këqyren apo mund të pyeten persona, etj.Këto veprime më të thjeshta, që nuk cenojnë institucione apo persona, mund të bëjnë të mundur identifikimin e faktit penal dhe drejtimin e hetimit drejt atyre fakteve. Mosidentifikimi i fakteve sjell një hetim të çorganizuar, siç duket edhe nga numri i vendimeve për sekuestrim që i janë drejtuar të njëjtit institucion….” Rastet e deputetëve Gjykata ka lënë në fuqi vetëm vendimet e sekuestros për rastin e deputetes Valentina Leksaj, ish-deputetit Kokëdhima dhe deputetit aktual të PS Rakip Suli. Ndërsa pjesën tjetër të vendimeve të sekuestros janë rrëzuar totalisht. Më konkretisht është rrëzuar vendimi i sekuestrimit të të dhënave të ruajtura në serverin qëndror të sistemit kompjuterik nëpërmjet shkarkimit të të dhënave, si dhe të dokumentacionit. Vendimit të sekuestrimit të dokumentacionit, kërkesës për vënie në dispozicion dokumentacioni”,Regjistrat fizike të procedurave për “Kontrollin e konfliktit te interesit”, për periudhën kohore nga krijimi i institucionit deri në datë 8 nëntor 2016. Pretendimi i ILDKPKI Pak ditë më parë ILDKPKI i kërkoi Gjykatës së Tiranës heqjen e masës së sekuestros për 6 vendime të prokurorisë, të cilat i konsideron si të pa argumentuara dhe të mbështetura në qëllime jo të ligjshme. ”Prokuroria nuk arsyeton se përse një hetim që përfshin më pak se tre vite veprimtari dhe vetëm 3 subjekte, kërkon të sekuestrojë të gjitha të dhënat që lidhen me gjithë vitet e ushtrimit të veprimtarisë nga ILDKPKI dhe me të gjithë subjektet që mbartin detyrimin për të deklaruar pasurinë dhe interesat private”-thuhet në kërkesën ankimore, ku prokuroria akuzohet se është vënë në veprim për nisjen e hetimeve penale, për qëllime jo të ligjshme. “Prokuroria nuk është vënë në lëvizje për qëllime të ligjshme sepse dokumentet që kërkohen dalin jashtë sferës së objektit të hetimeve të filluara, kështu që nuk kanë se si të jenë të rëndësishme në vërtetimin e fakteve, siç edhe përcaktohet në nenin 208 të Kodit të procedurës Penale”-thuhet më tej në kërkesën ankimore të ILDKPKI-së.