Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot para mediave pas deklaratave një ditë më parë të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për inceneratorin e Tiranës.
Berisha e cilësoi mashtrimin ose shakanë e shekullit deklaratën e Veliajt se “Bashkia e Tiranës është treguar korrekte dhe se jemi një nga bashkitë klientë”.
Ai tha se nuk bëhet fjalë për gabime, por vepra penale dhe krime, ndaj dhe Prokuroria e Posaçme ka lëshuar një numër urdhër-arrestesh dhe gjykata ka burgosur zyrtarë e të tjerë.
“Meqë jemi te vjedhja e shekullit, mund të them se kjo është mashtrimi i shekullit ose shakaja e shekullit. Javën e kaluar ju njoftova se Veliaj dhe SPAK-i i partisë duan të paraqesin Erionin viktimë të pronarëve në letra dhe vetëm në letra Zoto dhe Mërtiri.
Sot do të ndalem vetëm në deklaratën e tij se nëse dikush ka bërë gabime të mbajë përgjegjësi një për një. Sipas Veliajt vjedhja e shekullit nuk është vepër penale, nuk është krim i shëmtuar, por vetëm gabim. Me këtë rast i themi Veliajt se përgjegjësit numër një për vjedhjen e shekullit se nuk bëhet fjalë për gabime, por vepra penale dhe krime, ndaj dhe Prokuroria e Posaçme ka lëshuar një numër urdhër-arrestesh dhe gjykata ka burgosur zyrtarë e të tjerë. Nuk është gabim, por krim i Veliajt kalimi i mbetjeve në praktikën me djegie, e cila sipas KLSH-së është dy herë më e kushtueshme se e para. Është krim i Veliajt, zëvendësim i procedurës së djegësit të Elbasanit dhe Fierit me tender publik me procedurën e dhënies me koncesion ose PPP i cili e detyron koncesionarin t’i paguajë Veliajt”, deklaroi Berisha.