Kreu i grupit parlamentar të PD Edmond Spaho dhe kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i janë drejtuar me një letër Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku kërkohet anulimi i rrëzimit të dekretit të Presidentit për ligjin e ‘tatimin mbi të ardhurat’.
Në letër opozita thekson se është shkelur rregullorja e Kuvendit duke rrëzuar dekretin pa kaluar 12 orë.
“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqipërisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetesën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me çështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”- thuhet në letër.
foto galeri foto galeri 12PreviousNext
Krerët e grupeve parlamentare kërkojnë nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që:
1-Të konstatojë shkeljen e Rregullores së Kuvendit.
2-Të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit anulimin e vendimit të Kuvendit të datës 20 dhjetor 2018.
3-Të kërkojë nga kryetari i Kuvendit shqyrtimin e miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për disa ndryshime dhe shtetas në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas procedurave ligjore të paracaktuara nga Rregullorja e Kuvendit.
Kujtojmë se Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim dekretin për këtë ligj duke pretenduar se shkelte barazinë fiskale me aksionerët.