Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për intepretim të dekreteve mbi ndryshime në qeveri.

Në kërkesën drejtuar Kushtetuese, Presidenti parashtron se “Në datë 17.02.2016, Institucioni i Presidentit i ka përcjellë Kuvendit për shqyrtim të dy Dekretet për shkarkimin e Ministrave Cani dhe Ahmetaj, në mënyrë që të bëjë shqyrtimin e tyre referuar nenit 98 pika 2 e Kushtetutës. Kuvendi i Shqipërisë në seancën e dt. 18.02.2016 nuk ka marrë në shqyrtim Dekretet e Presidentit të Republikës për shkarkimin e dy Ministrave respektivë të Financave dhe të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke lënë pa fuqi Dekretet e Presidentit të Republikës”. “Referuar Vendimit nr. 6, dt. 18.01.2002 të Gjykatës Kushtetuese, ‘Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës, i nxjerrë në përputhje me pikën 2 të nenit 98 të Kushtetutës, nuk kufizohet vetëm në kontrollin formal të tij, por dhe në atë substancial, sepse ai është akt i një kontrolli politik të ngjashëm me atë që ushtrohet në kuadrin e një mocioni besimi apo mosbesimi’ thuhet më tej. Në këtë kuptim Gjykata Kushtetuese, në interpretimin që i ka bërë nenit 98 pika 2 e tij , ka arritur në konkluzionin se Kuvendi e kontrollon Qeverinë dhe aktin e Presidentit me mjete demokratike dhe jo përmes heshtjes dhe se Kuvendi edhe në rast të kalimit 10 ditor të përcaktuar në Kushtetutë, duhet të marrë medoemos në shqyrtim Dekretet e Presidentit sa i takon shkarkimit të Ministrave. Kjo situatë ka krijuar një ngërç, pasi Presidenti nuk ka proceduar me emërimin e dy Ministrave të tjerë, që zëvendësojnë dy Ministrat e shkarkuar. Përsa kohë Dekretet e Presidentit për shkarkimin e dy Ministrave nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi, do të thotë që ato kanë ngelur pa fuqi. Institucioni i Presidentit vlerëson se do të jetë pa kuptim nëse Dekretet për Shkarkimin e Ministrave do të kenë votën kundër të Kuvendit, ndërkohë që Presidenti emëron dy ministra të tjerë referuar propozimit të Kryeministrit. Në rastin konkret, Kuvendi nuk i ka dhënë fuqi Dekreteve të Presidentit për shkarkimin e Ministrave, ndërkohë që Presidenti ka detyrimin kushtetues të shprehet me dekret për emërimin e dy ministrave të tjerë referuar propozimit të Kryeministrit brenda afatit 7 ditor. Sa më sipër, duke qenë se ekziston një normë kushtetuese e paqartë, ekziston një marrëdhënie e ngushtë mes normës kushtetuese dhe situatës së krijuar dhe duke marrë në konsideratë dhe qëndrimin e mbajtur nga ana e Kryeministrit, dhe Parlamentit, Presidenti i Republikës referuar nenit 124 pika 1, nenit 134 pika 1 shkronja “a” e Kushtetutës i kërkon Gjykatës Kushtetuese të bëjë interpretimin përfundimtar të nenit 98 pika 1.

Artikulli paraprakCUNGU: VLLAZNIA NË VLORË PËR TË MARRË MAKSIMUMIN
Artikulli tjetërHARADINAJ: VENDI DREJT ZGJEDHJEVE, THAÇI SDO TE ZGJIDHET PRESIDENT