Dekriminalizimi, tre anëtarët e djathtë në KQZ braktisin mbledhjen
Bojkoti i opozitës ka përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tre anëtarët e djathtë u larguan nga mbledhja e Komisionit, teksa po kryhej votimi për të shqyrtuar dosjet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Anëtarët e propozuar nga opozita kërkuan që të ndahen më vete diskutimet për kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj, por kjo nuk u pranua nga pjesa tjetër e anëtarëve. Anëtarja Vera Shtjefni tha se dekriminalizimi ka marrë sot goditje të rëndë, ndërsa Hysen Osmanaj shprehet se krimet penale janë përzier me gabime civile. Më herët, KQZ ka vendosur që të verifikojë rast pas rasti të 13-t në lidhje me formularin e deklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Vendimi është marrë nga 4 votat e përfaqësuesve të majtë në KQZ, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kërkuan shqyrtimin vetëm të kërkesës së prokurorisë për dy kryebashkiakët, përkatësisht Tërmet Peçit që drejton Bashkinë e Tepelenës dhe Adriatik Zotkajt që drejton bashkinë e Poliçanit. Sipas KQZ, riverifikimi bëhet për shkak se nuk kanë deklaruar të dhëna në një nga rubrikat e formularit të vetëdeklarimit.