Nga një numër 10 tek tjetri.
Roberto Baxho, ikona e futbollit italian festoi dje 50-vjetorin e lindjes dhe një urim special i ka ardhur nga një tjetër ikonë e këtij sporti, Alesandro Del Piero. Madje ishte ky i fundit që mbajti lart fanellën me nr.10 te Juventusi, fanellë që dikur e mbante të veshur Baxho. Përmes një mesazhi në “Facebook”, Del Piero e kujton kështu ish-shokun e skuadrës. “Sot është një ditë e veçantë për ty, por më beso është për të gjithë ne që e duam futbollin. Është e tillë edhe për mua, që kam patur fatin të shkruaj historinë krah teje. I përkas një brezi, që ashtu si ti e dimë mjaft mirë se çfarë do të thotë të mbash në shpinë çantën me rroba të një kampioni të madh siç je ti”, thotë Del Piero. Më tej, Del Piero shton: “Kur të kam njohur, në vitin 1993, ti ishe më i madhi dhe të të mbaja çantën nuk ishte aspak bezdi, por një ëndërr që realizohej. Unë erdha te të rinjtë e Juventusit në moshën 18-vjeçare, ndërsa ti ngrije lart në qiell “Topin e Artë”. Roby, kam mësuar shumë nga ty, kam luajtur me ty, kam fituar me ty. Ke qenë një shok skuadre i mrekullueshëm dhe kur rrugët tona u ndanë, për mua ka qenë një nder të mbaja veshur fanellën tënde, pasi ka qenë një përgjegjësi e madhe. Sa herë jemi takuar në fushë jemi përqafuar, ndaj të dërgoj një përqafim edhe tani për ditëlindje”.