SHBA ka kundërshtuar hapur përpjekjet e Presidentit Thaçi për themelimin e ushtrisë përmes projekt-ligjit që është dërguar në Kuvend, duke theksuar se Uashingtoni do ta mbështesë transformimin e FSK-së vetëm nëse proçesi bëhet me ndryshimin e Kushtetutës.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, theksoi se vazhdimi i këtij projekti mund të sjellë pasoja mjaft negative në marëdhëniet dy-palëshe. Diplomati kritikoi gjithashtu Presidentin Thaçi dhe Kryeparlamentarin Veseli për mungesë koordinimi. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ndalimin e përpjekjeve për të transformuar FSK-në në një forcë të mirëfilltë të armatosur përmes ndryshimeve ligjore, duke bërë të ditur se këtë proçes do t’a mbështesin vetëm nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutë. Në një intervistë për mediat kosovare, Ambasadori amerikan në Kosovë ka pohuar se vazhdimi i kësaj nisme mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet dy-palëshe. “Shpresoj se Qeveria e Kosovës do të ndalet dhe do të fillojë një përpjekje për të siguruar mbështetje të gjerë të bashkësive të Kosovës për këtë hap, dhe do të punojë ashtu siç ne gjithmonë e kemi diskutuar. Sigurisht që në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara me kënaqësi do të punojnë me njerëzit e Kosovës për këtë çështje. Qëndrimi ynë është se ky transformim duhet të ndodhë nëpërmjet një amendamenti kushtetues.” Më tej, zyrtari amerikan ka kritikuar Presidentin Thaçi dhe Kryeparlamentarin Veseli, për mungesë koordinimi si me faktorët e brendshëm, ashtu edhe me atë ndërkombëtar. Delawie u shpreh se ishte ndjerë i bafasuar dhe i zhgënjyer në kohën kur Kreu i Shtetit dorëzoi në Kuvend, projektligjin për transformimin e FSK-së. Ai shtoi se rruga që po tenton të ndjekë Thaçi nuk është e njëjtë me atë të cilën është diskutuar më herët. Greg Delawie ishte gjithashtu i qartë kur kërkoi që proçesit aktual t’i jepet fund dhe të nisë një përpjekje e dytë për të bërë bashkë të gjitha palët, me qëllim që Forca e Armatosur të arrihet në rradhë të parë me konsensus të brendshëm si dhe më pas me mbështetjen dhe koordinimin me faktorin ndërkombëtar.

Artikulli paraprakDAÇIÇ: VENDIMI I PRISHTINËS ILEGAL DHE I PAPRANUESHËM
Artikulli tjetërMATURA, JA DATAT KUR DO TË PLOTËSOHET FORMULARI A1 E A1Z