Marrëveshja e Demarkacionit do të proçedohet javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të kabinetit Mustafa, të cilët shprehen se qeveria ka kryer çdo detyrim të sajin dhe se tashmë për akordin duhet të vendosin deputetët. Nga ana tjetër, zyrtarë të PDK-së, kanë paralajmëruar vazhdimisht se një votë kundër Demarkacionit, mund të vërë në pikëpyetje ardhmërinë e koalicionit qeverisës.

Pas një përpjekje të dështuar për të ratifikuar marrëveshjen për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi, qeveria e Kosovës ka vendosur që të proçedojë në Parlament akordin e shumë-debatuar. Lajmi është konfirmuar për mediat nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu. Ai është shprehur se kabineti Mustafa i ka kryer të gjitha detyrimet, si në aspektin proçedural, ashtu edhe në atë profesional, dhe tashmë u gjykon deputetëve që të vendosin.

Marrëveshja e Demarkacionit është kthyer në çështjen më të ndjeshme të politikës kosovare. Akordi është kundërshtuar vazhdimisht nga partitë opozitare, me çdo mjet të mundshëm, duke filluar nga debati, e deri tek gazi lotsjellës në Kuvend. Gjithashtu, kryeministri Mustafa ka patur vazhdimisht presionin e partnerit të tij të koalicionit, Kadri Veseli.

Ky i fundit ka kërkuar që për këtë çështje të ketë vendim-marrje, ose përkundër të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Për këtë arsye, ekspertët shprehen se votimi do të ndiqet me kujdes pasi rrezikon të sjellë një shembje përfundimtare të strukturës qeverisëse. Për t’u theksuar është fakti se përveç opozitarëve, marrëveshja është kundërshtuar edhe nga eksponentë të maxhorancës, të cilët shprehen se akordi i humbet Kosovës një sasi të konsiderueshme territoriale. Për këtë arsye, ende nuk dihet nëse shefi i ekzekutivit do të grumbullojë votat e nevojshme për miratimin e Demarkacionit.

Artikulli paraprakTURQIA BLLOKON AKSESIN NË WIKIPEDIA SEPSE KRITIKOI ERDOGAN
Artikulli tjetërMOTI PËR SOT DO TË KARAKTERIZOHET NGA ALTERNIME KTHJELLIMESH DHE VRANËSIRASH TË DENDURA