Moti i keq me temperatura ekstreme dhe ngrica duket se ka kaluar për të gjithë, përveç fermerëve.

Këshilli i Agrobiznesit thotë se pasojat e ditëve të ftohta të janarit kanë goditur prodhimin bujqësor në dy pika të forta, cilësi dhe afatin kohor të daljes në treg. “Pasojat janë afatgjata, një pjesë e tyre u është ulur cilësia, një pjesë e mirë e produkteve që do të dilnin në pranverë nuk do të dalin në kohën e duhur, pra hershmëria që ishte një ndër avantazhet tona me këto ngrica që kaluam do të dëmtohet, kjo do të vazhdojë me pasojën e mosdaljes në kohë për eksport”, tha Agim Rrapaj, Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit Ndërsa për fermerët kjo situatë i ka dhënë tashmë pasojat financiare, për ekonominë sipas Këshillit të Agrobiznesit do të japë efektet e saj në muajin prill, kur prodhimi duhet të dilte në treg. Zgjidhja afatgjatë e propozuar nga këshilli për këto raste është përdorimi i fondit të garancisë për të nxitur sigurimin e prodhimit bujqësor. “Fondi i Garancisë të përdoret edhe për sigurimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për sigurimin e fermave në tërësi të produkteve të eksportit, ky fond në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimit mund të ulë prodhimin, mund të ulë riskun”, shprehet Rrapaj. Vetëm në zonën e Leshnjes, sipas Drejtorisë së Bujqësisë, janë dëmtuar rreth 70 % e produktit të gatshëm të perimeve në sera, rreth 350 ha perime në fushë. Kjo ka çuar edhe në një rritje të çmimeve në treg gjatë këtyre ditëve.

Artikulli paraprakPENGMARRJE NË NJË LOKAL NË BLLOK
Artikulli tjetërPËRPLAS AUTOMJETIN E AMBASADORIT DELAWIE, S’KA TË LËNDUAR