Raporti II – Demokracia e brendshme, parti autoritariste me vendimmarrje vertikale. Instituti i Studimeve Politike (WWW.ISP.COM.AL) sjell raportin e dytë periodik mbi zhvillimet e demokracisë së brendshme brenda partive politike shqiptare.

Raporti përmbledh zhvillimet e periudhës qershor–gusht 2016, dhe është i përqendruar kryesisht në partitë parlamentare. Raporti paraqet pikëpamjet e ekspertëve të ISP dhe është pjesë e kolanës së studimeve dhe analizave mbi partitë politike, zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. GJETJET KRYESORE Gjatë muajve qershor – gusht 2016 partitë politike kryesore nuk patën ngjarje kombëtare (kongrese, zgjedhje, konferenca kombëtare), megjithatë në mënyrën e funksionimit, ato reflektuan rritje të kontrollit vertikal të vendimmarrjes, kryesisht për shkak të presionit për votimin e reformës në drejtësi. Në PS për shkak të reformës u unifikuan votat parlamentare midis mbështetësve të linjës zyrtare të kryetarit, midis kritikëve të tij dhe disa deputetëve të mënjanuar ose përjashtuar më parë nga grupi. Në PD vendimi i momentit të fundit pro reformës unifikoi qëndrimin politik me vijën zyrtare të saj, duke ulur ndikimin e zërave kritikë brenda grupit parlamentar. Në LSI për herë të parë u shënua përjashtimi i një deputeti për shkak të qëndrimit publik kritik me një akt politik të pavotuar ende, reformës në drejtësi. Bisedimet midis krerëve partiakë mënjanuan rolin e grupeve parlamentare, të kryesive të partive dhe të këshillave kombëtare/ asambleve kombëtare. Për pasojë, liderit politikë forcuan ndjeshëm pozitat e tyre në parti, duke dobësuar zërat kritikë dhe hapësirën e tyre për veprim. Reforma në drejtësi në mënyrë paradoksale, në aspektin afatshkurtër dhe partiak ndikoi negativisht në rritjen e rolit, forcës, kontrollit dhe autoritetit të liderëve partiakë, në dëm të demokracisë së brendshme partiake. Në aspektin afatgjatë reforma mund të ketë ndikim edhe në praktikat e ardhshme parlamentare dhe cilësinë e përfaqësimit, për të ndikuar në dobësimin e liderëve partiakë dhe në forcimin e jetës institucionale dhe transparencës brenda partive politike. Raporti analizon treguesit e tjerë të demokracisë partiake, risitë e problemet, sidomos ato që shfaqen në partitë e mëdha politike dhe aleatët e tyre në parlament. Gjetjet kryesore në këtë aspekt janë: Në aspektin e treguesve të demokracisë partiake secila nga partitë nuk arriti gjatë 3 muajve të fundit të zgjidhë problemet e krijuara gjatë periudhës mars-qershor, përkundrazi, treguesit e demokracisë mbeten të brishtë dhe ende nuk ka mekanizma ligjorë e statusore garantues të saj. Në kundërshtim me parimin e transparencës publike partitë politike vijojnë të ofrojnë informacione të pakta në faqet e tyre zyrtare (partitë që kanë faqe zyrtare), si dhe mungesë të plotë informacioni për shumicën tjetër të partive pa faqe zyrtare internet. Partitë vijojnë të aplikojnë vendimmarrje kryesisht nominale (me urdhra, porosi, udhëzime, etj) duke evituar aktet e shkruara statusore publike. Humbja e “gjurmëve” përbën devijim nga fryma e ligjit mbi partitë politike dhe rregullat e funksionimit të tyre, të cilat detyrojnë partitë të bëjnë publike të gjitha vendimet dhe aktet politike. Në PS u deshën përpjekje të mëdha për të gjetur një kopje statusi të marsit 2016, ndërkohë që me ligj ai duhet të ishte publik. Në faqen zyrtare të PS nuk gjendet as statusi, as programi dhe as rregulloret e funksionimit. Në PD është e pamundur të merren të dhëna mbi gjendjen organizative të partisë, për shkak të kontrollit mbi të dhënat, ndërkohë që shtrirja territoriale, kontakti, treguesit e përbërjes, stafet drejtuese, etj, sipas legjislacionit tonë duhet të jenë publike. Në LSI vijon të mos publikojë listën e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar, dhe natyrisht, as e degëve, drejtuesve apo kontakteve të tyre. Praktikat statusore të demokracisë së brendshme vijojnë të jenë formale; partitë aplikojnë standarde extra në trajtimin real me kritikët e vijës zyrtare, shumica e tyre jashtë përcaktimit statusor dhe në formë të personalizuar të marrëdhënieve midis kryetarit dhe kritikëve. Me gjithë angazhimin e partive politike për të aplikuar në radhët e tyre standardet e de-kriminalizimit në proceset e brendshme zgjedhore dhe promovuese, ende as PS, as PD, as LSI dhe asnjë parti tjetër nuk kanë zhvilluar mbledhjet inauguruese të trupës që duhet të bëjë kontrollin & vlerësimin. Partitë nuk kanë marrë masa distancuese dhe penalizuese (heqje të imunitetit dhe mbrojtjes partiake) për individë drejtues qendrorë apo lokalë të përfshirë në akte të ndryshme kriminale, në skandale publike apo në ngjarje me natyre penale. Sjellja e tyre ka qenë e mbetet në dy standarde, në varësi nga preferencat dhe raportet personave të individëve me shefat e partive, jo mbi bazën e normave e standardeve të shkruara dhe të zbatuara për të gjithë në parti. Partitë reflektuan mungesën e mekanizmave të brendshëm gjykues dhe zgjidhës të mosmarrëveshjeve midis strukturave dhe individëve me status politik. Paralajmërimi për përjashtimin e dy deputetëve kritikë në PS, e tre deputetëve kritikë në PD dhe përjashtimi i një deputeti tek LSI tregoi se asgjë nuk i pengon liderit politik ta bëjnë këtë, me përjashtim të kostos elektorale që mund të kenë. Në secilin rast komisionet dhe strukturat e garancive statusore, pra gjykatat e brendshme statusore, ishin jo funksionale dhe mbetën të tilla. Me gjithë detyrimin kushtetues (neni 9) që partitë politike bëjnë kurdoherë publike burimet e financimit, me përjashtim pjesërisht të LSI asnjë parti tjetër politike nuk bën publike të dhënat financiare kryesore (shpenzimet për aktivitete publike). Risia pozitive e LSI mbetet gjithsesi gjysmake dhe të dyshimta në saktësinë e tyre përderisa të dhënat janë formale, të bazuara në burime të brendshme dhe donacione, këto të fundit, pa sqarime të konfliktit të interesit. Për shembull, shpenzimet për kampin veror të Jalës ku organizohen disa qindra të rinj të LRI, rezulton se janë mbuluar kryesisht nga donacione nga kompani private që kanë lidhje direkt me institucione & ministri të administruara e drejtuara nga LSI. Kufiri ndarës midis donacionit vullnetar, donacionit të detyruar dhe përqindjes për shkak të privilegjeve me paratë publike, – mbeten një prej pikave të errëta të financimit të LSI dhe secilës parti tjetër politike në Shqipëri. Për të njëjtin aktivitet, tashmë nga FRESH (PS), kjo parti nuk jep asnjë të dhënë publike mbi burimet e financimit, shpenzimet, donacionet, etj, praktikë që krijon dyshime të forta mbi financimin, sidomos për një parti që administron rreth 70% të pushtetit në të gjitha nivelet. Partitë e vogla politike kanë nisur lëvizjet brenda tyre dhe në raport me partitë e mëdha, kryesisht në përpjekje për kalkulime elektorale në pranverën 2017, dhe gjithnjë mbi baza preferencash personale të drejtuesve të tyre. Defektet organizative dhe të standardeve minimale të demokracisë së brendshme partitë politike i reflektojnë edhe në organizatat e tyre satelite, forumet rinore dhe forumet e grave. Tendenca për kontrollin e plotë të këtyre organizatave, e kufizimit të fushëveprimit të tyre dhe e shndërrimit të tyre në trupa besnike të kryetarëve, përbën një tipar shqetësues dhe dominues gjatë dekadës së fundit. Strukturat rinore të partive janë dhe mbeten aktive, megjithatë ato më shumë se përfaqësuese të brezit të ri shfaqen si imituese dhe avokate të zjarrta të pikëpamjeve e qëndrimeve të kryetarëve të partive respektive, duke dëmtuar ndjeshëm forcën përfaqësuese, autonominë dhe aftësinë e ofertave për ndryshime në politikë.

Artikulli paraprakLEZHE,SEKUESTROHEN 320 GRAM KOKAINE.ARRESTOHET POSEDUESI
Artikulli tjetërJORDANI,VRITET SHKRIMTARI QE PUBLIKOI KARIKATUREN KUNDER ISIS