Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtuesit demokratë kanë kujtuar sot ish-deputetin Azem Hajdari, në 23 vjetorin e vrasjes së tij. Demokratët, në shenjë nderimi ndaj figurës së Hajdarit, kanë kryer homazhe në Memorialin e liderit të ‘Lëvizjes Studentore’, ndërsa kanë vendosur edhe kurora me lule.

Përmes një mesazhi, lideri demokrat theksoi se sot kujtohet njeriu që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci. Mes të tjerash Basha tha se vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit.

MESAZHI I BASHËS

Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besim Çera.
Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa.
Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit.
Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë.
I paharruar kujtimi i tij!

Artikulli paraprakSOT 23 VITE NGA VRASJA E AZEM HAJDARIT, META: GUXIMI I TIJ DUHET TË FRYMËZOJË PËRPJEKJET TONA PËR NJË SHQIPËRI SI GJITHË EUROPA!
Artikulli tjetërU KAP ME 3 ÇANTA ME MARIJUANË, ARRESTOHET 37-VJEÇARI SHQIPTAR NË SELANIK