Demonstrimi më i madh midis FA-së dhe NATO-s në Shqipëri. Ka nisur sot stërvitja e përbashkët “Joint Effort-16”, e cila do të zhvillohet në Shqipëri nga data 19-29 shtator 2016 .

Kjo stërvitje është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që FA kanë zhvilluar me NATO-n në 10 vitet e fundit. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është rritja e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave pjesëmarrëse dhe kapaciteteve operacionale të shtabeve dhe njësive të FA në procesin e planëzimit dhe ekzekutimit të operacioneve luftarake në mjedis të përbashkët (JOINT) dhe multinacional, në nivel taktik dhe operativ. Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, duke përshëndetur përfaqësuesit e Italisë, Kosovës, Malit të Zi, Britanisë dhe SHBA-ve, theksoi se ky rast është një mundësi e mirë për të përmirësuar aftësitë luftuese si dhe ndarjen e eksperiencave. Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, theksoi se ky është një nga evenimentet më të rëndësishme stërvitore të Forcave të Armatosura. Koçi: Sot bashkarisht nisim stërvitjen “Joint Effort-16”, evenimentin më të rëndësishëm stërvitor të FA. Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të zbatimeve të detyrimeve të planit të aktiviteteve kryesore të FA për vitin 2016. Qëllimi i stërvitjes ‘Joint Effort-16’ është thellimi i njohurive dhe përmirësimi i mëtejshëm i njësive dhe komandantëve të njësive të FA dhe partnerëve ndërkombëtarë në planëzim dhe ekzekutim të operacioneve ushtarake me spekter të plotë, si pjesë e task-forcës së bashkuar të NATO-s me theks në nivelin taktik dhe operacional. Sipas z. Koçi, planifikimi dhe ekzekutimi i stërvitjes së përbashkët rrit njohuritë, mësimet dhe kompetencën e njësive dhe drejtuesve të pjesmarrës, sidomos në nivel taktik aplikimi i doktrinës dhe procedurave NATO në të gjitha fazat e stërvitjes. Koçi: Ky është një bashkëpunim konkret me përfitim të përbashkët midis vendeve pjesmarrëse. Ne e dimë se jetojmë në një botë të trazuar dhe sfidat e të ardhmes përballohen më me sukses dhe mes aleatësh të cilët para së gjithash kemi punuar dhe derdhur djersë në poligonet e stërvitjes. Stërvitja e Përbashkët e koduar “Joint Effort-16” do të zhvillohet nga data 19-29 shtator 2016, në rajonet: Garnizoni “Skënderbej”, Zall-Herr,Bizë, Kepi i Palit,Vau i Dejës, Poshnjë, Rinas dhe Kuçovë. Kjo stërvitje është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që FA kanë zhvilluar me NATO-n në 10 vitet e fundit. Në Stërvitjen “Joint Effort-16” marrin pjesë 1500 trupa nga Shtabin i Përgjithshëm, Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda Mbështetëse dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe trupa dhe mjete ushtarake të Forcave të Armatosura nga SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova dhe Mali i Zi.

Artikulli paraprakISIS EKZEKUTON SPIUNIN ME SNAJPER
Artikulli tjetërSHOQERIA CIVILE PROTESTE KUNDER IMPORTIT TE PLEHRAVE