Çështja e dëmshpërblimeve për banorët e përmbytur të Shkodrës në vitet 2010-2011 mund të marrë një rrugëzgjidhje zyrtare.
Një dritë jeshile është hapur për dhënien e parave për dëmet që të përmbyturit kanë patur në shtëpitë e tyre për javë të tëra përpara 6-7 vitesh. Kjo pas një shkresë që prefekti i qarkut Shkodër Paulin Radovani i ka bërë qeverisë duke i dërguar listat e dëmshpërblimeve për shtëpitë sëbashku me vlerësimet që ka bërë komisioni në atë kohë. Deri tani janë zhvilluar mbi 30 protesta dhe një grevë urie 17 orësh vetëm që qeveria të miratojë listat me dëmshpërblimet për shtëpitë. Deri tani ka vetëm një miratim të qeverisë së Sali Berishës kur u njohën dëmet në bujqësi dhe për 4 biznese. Nga ky vendim janë dhënë 49% e dëmeve në bujqësi ndërsa tashmë pritet që të merren edhe 330 milion lekë të tjera pas ndërhyrjes të prefektit të qarkut Shkodër Paulin Radovani që kishin mbetur pa u likujduar. Komisionet e vlerësimit pas 2011-ës përveç dëmeve në bujqësi kanë bërë listat me vlerësimet e dëmeve edhe për banesat dhe orenditë shtëpiake të banorëve të përmbytur. Në shkresën zyrtare që prefektura e Shkodrës i ka dërguar qeverisë thuhet se këto vlerësime të komisioneve kanë mbetur në nivelin e një projektvendimi numër 1375 në 2011-ën i përgatitur nga ministria e brendshme dhe dërguar sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Projektvendimi është bërë nga ish-zëvendësministri Avenir Peka por që nuk është firmosur nga ish-ministri Lulzim Basha dhe as ish-kryeministri Berisha. Në listat me vlerësimet për dëmet nga përmbytjet bëjnë pjesë afro 6 mijë familje të zonave të Shkodrës që përjetuan përmbytjet ndërsa ky projektvendim nuk është diskutuar asnjë herë në qeveri dhe nuk ka një vendim për të. Kjo shton shpresën dhe nëse qeveria aktuale e miraton do t’i hapte rrugën 6 mijë familjeve për të përfituar një shumë prej afro 2 miliard lekësh në total. Tashmë i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ndodhet në dyert e qeverisë pas shkresës që i ka bërë prefektura dhe pritet të shihet se cili do jetë vendimi, nëse qeveria do miratojë apo jo dhënien e dëmshpërblimeve për shtëpitë.