Ikje- ardhjet e shpeshta të energjisë elektrike ditët e fundit, kanë krijuar shqetësime dhe probleme të shumta tek qytetarët por edhe bizneset në Shkodër. Janë të shumta sinjalizimet që kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë në Star Plus Televizion, lidhur me dëmet që u shkaktohet nga OSHEE dhe për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.
Fenomeni i ndërprerjes së energjisë elektrike, është i shtrirë në të gjitha zonat e qytetit por edhe në njësitë administrative të Bashkisë Shkodër. Energjia ikën e vjen orar pa orar, pa asnjë lloj paralajmërimi.
Në shumë familje, dëmet janë të konsiderueshme, duke sjellë dëmtimin e elektroshtëpiakeve si televizorë, frigoriferë, lavatriçe dhe pajisje të tjera. Riparimi i dëmeve, sjell një kosto të shtuar për qytetarë e biznese, duke rënduar edhe më shumë ekonominë familjare dhe të subjekteve tregtare në një situatë mjaft të vështirë për to.
OSHEE nuk merr përsipër asgjë nga dëmet që iu shkakton abonentëve familjarë e biznese për shkak të cilësisë së dobët të shërbimit, të cilin e ka edhe monopol. Qytetarë por edhe biznese tregojnë se kanë provuar të kontaktojnë me zyrtarë të OSHEE, në të gjitha nivelet, por kanë marrë përgjigje standard: Nuk kemi përgjegjësi, këto janë kushtet tona e justifikime të tjera të ngjashme.
Ndërkohë, qytetarë e biznese të shumta, rrisin kostot për faj të OSHEE, e cila po tregon për të disatën herë paaftësinë e menaxhimit të sherbimit që duhet tu ofrojë abonentëve të saj.