Nuk janë bërë as 6 muaj që nga përfundimi i shtrimit të pistës së tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër por janë shfaqur disa probleme serioze.

Askush nuk e ka pritur që në një kohë kaq të shkurtër pista e tartanit në stadiumin e Shkodrës të kthehet në një shqetësim. Tashmë prej disa ditësh ndryshimi i temperaturave brenda një kohe të shkurtër por jo vetëm ka bërë që pista e tartanit të bymehet.

Thuajse në gjithë gjatësinë e korsisë fundore përballë pankinave në stadium pista e tartanit është ngritur sipër duke marrë ajër. Kjo ka ndodhur edhe si shkak i temperaturavë që ndryshojnë duke sjellë kështu dëmtimin e pistës por edhe për shkak të punimeve të kryera jo siç duhet.

Burime bëjnë me dije se kur është vendosur shtresa e fundit e pistës së tartanit nuk është ngjitur sipas parametrave të duhur. Kjo ka bërë që brenda 6 muajve të nisin gradualisht problemet.

Tashmë njëra prej korsive është e ngritur në shumë pjesë të ndryshme. Në vazhdimësi pritet që edhe në korsitë e tjera të ndodhë e njëjta gjë në pistën e tartanit në stadiumin e Shkodrës.

Dëmtimi që ka pësuar ajo pistë sjell probleme për ekipet e atletikës së Vllaznisë të cilët stërviten çdo ditë aty. Fillimisht e mirëpritën atë pistë të munguar prej shumë vitesh por kjo që ka ndodhur kaq shpejt i krijon shqetësime në seancat stërvitore.

Përveç kësaj duke parë pistën e ngritur në ajër tashmë nuk mund të zhvillohen as gara të ndryshme siç mund të jenë parashikuar në vazhdimësi. Sipas burimeve pritet që të gjendet një zgjidhje lidhur me dëmtimet në pistën e tartanit.

Dy janë mundësitë ose të bëhen disa prerje për riparimin e saj të pjesshëm aty ku është dëmtuar ose shtresa e fundit të hiqet për t’u rivendsour edhe njëherë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë e gjithë ajo pistë rrezikon të shkojë dëm krejtësisht.

 

Artikulli paraprakTHETH, BANORËT DHE PRONARËT DEBAT ME OSHEE
Artikulli tjetërBANORËT E PËRMBYTUR KËRKOJNË DËMSHPËRBLIMIN