Tashmë prej disa javësh ose më tëpër, temperaturat e larta, por jo vetëm, kanë bërë që pista e tartanit të dëmtohet. Pothuajse në gjithë gjatësinë e korsisë fundore përballë pankinave në stadium, pista e tartanit është ngritur sipër duke marrë ajër. Bymimi i pistës ka ndodhur edhe si shkak i temperaturave të larta, por edhe për shkak të punimeve të kryera jo siç duhet, duke sjellë në këtë mënyrë dëmtimin e kësaj piste. Burime bëjnë me dije se kur është vendosur shtresa e fundit e pistës së tartanit, nuk është ngjitur sipas parametrave të duhur. Kjo ka bërë që pa u mbushur dy vite nga ri-shtrimi i pistës të nisin sërish gradualisht problemet.
Tashmë, njëra prej korsive është e ngritur në shumë pjesë të ndryshme. Ndërkohë që, në vazhdimësi pritet që edhe në korsitë e tjera të ndodhë e njëjta gjë në pistën e tartanit në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”. Dëmtimi që ka pësuar ajo pistë sjell probleme për ekipet e atletikës së Vllaznisë, të cilët stërviten çdo ditë aty. Fillimisht e mirëpritën atë pistë të munguar prej shumë vitesh, por kjo që ka ndodhur shpesh herë i krijon shqetësime në seancat stërvitore.
Po ashtu, përveç kësaj duke parë pistën e ngritur në ajër, tashmë nuk mund të zhvillohen as gara të ndryshme kombëtare por edhe ndërkombëtare, siç mund të jenë parashikuar në vazhdimësi. Burime të ndryshme bëjnë se dije se pritet që të gjendet një zgjidhje lidhur me dëmtimet në pistën e tartanit. Ndërkohë kujtojmë këtu se pista e tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” është ri-shtruar edhe dy herë të tjera. Dy janë mundësitë ose të bëhen disa prerje për riparimin e saj të pjesshëm, aty ku është dëmtuar ose shtresa e fundit të hiqet për t’u rivendosur edhe njëherë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë e gjithë ajo pistë rrezikon të shkojë dëm krejtësisht.