Më tepër se 100 miliardë sterlina u humbën në bursën e Londrës mëngjesin e sotëm, ku indeksi “FTSE 100” pësoi rënien më të madhe në historinë e Britanisë së Madhe, pasi vendimi i britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian shkaktoi panik në botën mbarë.

Indeksi kryesor i bursës së Londrës ra 458 pikë, duke shkuar në 5.880 pikë, me një rënie prej 7.19 %. Ekspertët presin që gjendja të përkeqësohet. Kolapsi i mëngjesit të sotëm vlerësohet edhe shumë më i madh se rëniet e vitit 1978, “E premtja e zezë” e vitit 1992 dhe falimentimet e mëdha në vitin 2009. Bankat britanike ishin më të goditurat sot në tregun e aksioneve, teksa RBS ra 34 %, “Lloyds” humbi 28 % dhe “Barclays” 30 %. Gjithashtu, kompanitë e sigurimeve dhe firma të mëdha u goditën, duke pësuar rënie të mëdha të vlerës së aksioneve. Vendimi i britanikëve në referendumin e djeshëm për t’u larguar nga Bashkimi Europian shkaktoi panik në tregjet financiare, që u hapën me humbje të mëdha, ndërsa sterlina ra më tepër se 10 % ndaj dollarit amerikan. Për më tepër, Britania e Madhe rrezikon të humbasë edhe vlerësimin e saj nga kompanitë ndërkombëtare me AAA. Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Karnej, deklaroi sot se institucioni ishte i gatshëm të injektonte 250 miliardë stërlina (326 miliardë euro) nga fondet shtesë për të siguruar likuiditete të mjaftueshme për funksionimin e tregjeve, pas fitores së Brexit. ”Banka Qendrore britanike është gjithashtu në gjendje për të financuar likuiditete të konsiderueshme në valutë të huaj, në rast nevoje”, shtoi Karnej në një intervistë televizive.

Artikulli paraprak“ZEF ZORBA, POEZI DHE KUJTIME”
Artikulli tjetër“EURO 2016”, POLONIA ELIMINON ZVICRËN