Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e quajti indinjues vendimin e Gjykatës Speciale ku Salih Mustafa u dënua me 26 vite burg për krime lufte ndaj shqiptarëve. Ai tha se mijëra vrasës serbë nuk janë dënuar dhe as gjykuar për mizoritë e kryera ndërsa Salih Mustafa është dënuar vetëm se ka luftuar kundër pushtuesve të vendit të vetë.
“Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet. Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?”-shkruan Kurti. Kreu i ekzekutivit në Kosovë tha se shpresonte se institucionet e drejtësisë do ta kuptonin padrejtësinë e bërë me dënimin e Sali Mustafës.
“Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”-përfundon Kurti në reagimin e tij.