Nisma legjislative e Minstrisë së Mbrojtjes për dënimin me gjobë deri në tre vite burg për personat që dhunojnë kafshët shtëpiake, mesa duket mbështetet edhe nga qytetarët shkodranë.
Këta të fundit shprehen se kafshët duhen mbrojtur, ndërsa nuk harrojnë të shigjetojnë bashkinë për fenomenin e qenve endacakë. Në të njëjtën linjë është edhe drejtuesja e grupit vullnetar “Animals Need Me” Oli Pero, e cila thotë se kjo nismë e ministrisë ka ardhur si pasojë e raportimeve të shumta për keqtrajtimin e kafshëve. Deri më sot nuk ka patur asnjë dispozitë që dënon dhunuesit e kafshëve shtëpiake. Sipas propozimit të ministrit Tahiri, kushdo që organizon dyluftime mes kafshëve dënohet deri në tre vite burg. Po ashtu, sipas kësaj nisme, kushdo që dhunon apo braktis kafshët dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, por në rastet kur shkaktohet ngordhja e tyre, personat do të dënohen nga 6 deri në 12 muaj burg. Në vazhdim, ky propozim pritet të kalojë në parlament.