Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon për dënimin me 1 vit burg ish-deputetin Ervin Salianji për çështjen ‘Babale’.

“Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës.

Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën.

Të dy këto vendime, që minojnë demokracinë dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri, Edi Rama i merr sot, i ndihmuar nga krimi i organizuar. Me krimin e organizuar ai vodhi dhe bleu votat e shqiptarëve për të sunduar në parlamentin ilegjitim.

Me krimin e organizuar, Edi Rama sundon drejtësinë. Gjyqtari Artan Gjermeni, i cili dënoi sot pa prova Ervin Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashi është as më pak e as më shumë, anëtar i bandës së Lushnjës, e cila ka nisur të gjallërohet sërish nën pushtetin e Edi Ramës.

Për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht, nuk ka asnjë dyshim se ushtari i bandës së Lushnjës e kishte marrë prej kohësh vendimin politik që Edi Rama e shpalli prej ditës së parë të publikimit të skandalit Xhafaj.

Për ne nuk ka asnjë surprizë për hakmarrjen e Edi Ramës ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi që ekspozuan qeverinë e tij si të përfshirë direkt në trafikun e drogës”, tha Basha.

Artikulli paraprakVLLAZNIA-KUKËSI 1-2, JONUZ: DISA LOJTARË ISHIN NË GJUMË
Artikulli tjetërKLGJ ZGJEDH GJYQTARËT QË MARRIN NË DORË DOSJET E SPAK