Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke dënuar me nga 3 vite burg 3 gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno dhe një vit biznesmenin Namik Sadiku.

Por duke qenë se procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, aplikohet ulja me 1/3 e dënimit për të akuzuarit dhe 3 gjyqtarët do të bëjnë 2 vite burg.

Por për cfarë u akuzuan? Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri u bënë të njohur 5 vite më parë, pasi së bashku shkuan në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës, udhëtim i paguar prej tij.

Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. Biznesmeni Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri.

Pas zbulimit të skandalit, të tre gjyqtarët u akuzuan për veprën penale “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë” dhe sot u dënuan nga Krimet e Rënda. Petrit Ceno u shkarkua nga vettingu në shkurt të këtij viti nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi rezultoi se kishte fshehur pasurinë.

Artikulli paraprakPO ÇONTE VËLLANË NË SPITAL, PËRPLASET ME MAKINË. 3 TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërSTAR TREND – 29.10.2019