Dënohet bosi i drogës që furnizohej nga mafia shqiptare
Lideri i një bande kokainë në Angli u zbulua se qëndronte prapa sekuestrimit të madh të parave që është bërë nga policia, 560.000 £, raporton BBC. Khalad Uddin, 35 vjeç, nga “Little Breëery Stree”, Oxford, u dënuar këtë javë me 16 vite burgim nga gjykata e Birmingham. Sipas policisë së Thames Valley, ai bënte jetë luksoze dhe ishte “lojtari kyç dhe koordinatori kombëtar” i bandës. Ai u dënuar për trafik kokaine, pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, 13 anëtarë të bandës janë burgosur për trafik kokaine. Policia njoftoi se Uddin ka koordinuar shkëmbimet e drogave ndërmjet furnizuesve shqiptarë dhe klientëve me lidhje në West Midlands, në jug-perëndim të Anglisë dhe Oxfordshire. Gjatë operacionit, oficerët sekuestruan mes të tjerash më shumë se 10 kg kokainë, një shtypës hidraulik 10 ton, pajisje anti-mbikëqyrëse dhe bizhuteri me vlerë të lartë. Banda përdorte makina me ndarje të fshehura për të transportuar drogën për shitje në të gjithë vendin. Hetuesi i policisë Bruce Riddell tha në gjykatë se: “Uddin ishte një nga lojtarët kyç që koordinonte shkëmbimet dhe lehtësonte lëvizjen e drogës nga furnizuesit tek konsumatorët… Nga kjo bënte një jetese luksoze, duke shpenzuar mbi 62.000 paund për të marrë me qira makina të shpejta dhe prona të shtrenjta në Summertown (Oksford)”. Ai shtoi se Uddin gjithashtu rregulloi blerjen e dy pistoletave, të cilat u sekuestruan. “Anëtarët e tjerë të bandës bënë pushime luksoze, kishin akses në makinat sportive me performancë të lartë dhe kishin grumbulluar sasi të mëdha parash dhe mendonin se ishin mbi ligjin”, tha ai.