Dënohen me 7.8 vite burg në total ish-zyrtarët e hipotekës së Korçës, të përfshirë në veprimtari kriminale dhe falsifikim të dokumenteve.

Çështja penale, e përfaqësuar në gjykatë nga prokuroria Dhorina Theodhori dhe gjykuar nga gjyqtari i Korçës Besnik Shehu, ka përfunduar me dënimin e Ersild Gorarit, Arsidesa Hysit, Erjon Arifi, Eriston Ziu dhe Andrea Zallemit. Ndërsa për sa i përket ish-krye regjistruesit të Korçës, Lefton Bardho, është proceduar me pushimin e dosjes penale kundër tij, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve.

Më konkretisht gjykata e Korçës ka dënuar me 4 vite burgim Ersild Gorarin, por duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, Gorari, është dënuar përfundimisht me 3 vite burgim dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të mbajtur funksione publike.

Më 3 vite burg është dënuar dhe ish-zyrtarja e hipotekës Arsidesa Hysi, por me gjykim të shkurtuar ajo është dënuar me 2 vjet burgim dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Gjithashtu me 3 vjet burgim është dënuar dhe Erjon Arifi, por duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, Arifi është dënuar me 2 vjet burgim dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të mbajtur funksione publike. Eriston Ziu, është dënuar me 8 muaj burgim.

Sipas dosjes hetimore, Ersild Gorari, një punonjës i hipotekës së Korçës i vënë nën akuzë fillimisht, për “Shpërdorim detyre”, ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të tregojë të gjithë skemën e korrupsionit dhe falsifikimit të certifikatave të pasurive në hipotekën e Korçës.

Fillimisht çështja penale ka nisur kundër tij, por pasi punonjësi i hipotekës Gorari, është penduar dhe ka pranuar të flasë për prokurorinë, dosja penale është tërhequr nga gjykata e Korçës dhe çështja ka vijuar duke kryer një sërë veprimesh hetimore shtesë.

Këtë herë në ndihmë të hetimit të prokurorisë ka qenë dhe dëshmia e punonjësit Ersild Gorarit, i cili në rrëfimin e tij ka dhënë të plotë skemën e korrupsionit që kryenin zyrtarët e hipotekës së Korçës.

Nga verifikimi në sistem është konstatuar se zyrtarët e hipotekës Korçë, pajisnin me certifikata pasurie, qytetarë të cilët nuk kishin aplikuar asnjëherë dhe s’kishin bërë ndonjë pagesë për këtë shërbim.

Për më tepër që zyrtarët zhduknin nga arkiva e hipotekës regjistrat hipotekorë, duke i marrë me vete lokale dhe në shtëpi dhe ja lënë në dorë të personave të panjohur në rrugë e lokale, të cilët plotësonin certifikatat e pasurisë dhe firmosnin ato, duke e bërë më të vështirë zbardhjen e përgjegjësisë edhe nëse do kryhej ekspertim grafik i shkrimit.

Hetimi ka zbuluar se kartelat e pasurisë janë konstatuar se në një pjesë të tyre ka ndërhyrje të bëra nga Ersild Gorari apo zv/kryeregjistruesja Arsidesa Hysi dhe në shumicën e rasteve, kartelat dhe certifikatat janë plotësuar fiktive, pa u regjistruar në sistem, raste që janë në një masë shumë të madhe.

Personat e dënuar
1. Ersild Gorari, dënohet me 4 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar 3 vjet burgim dhe 3 vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

2. Arsidesa Hysi, dënohet me 3 vjet burgim, por me gjykim të shkurtuar Hysi u dënua me 2 vjet burg dhe 3 vite heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

3. Erjon Arifi, dënohet me 3 vjet burgim, por me gjykim të shkurtuar përfundimisht është dënuar me 2 vite vite burgim dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

4. Eriston Ziu dënohet me 8 muaj burgim për “Falsifikim dokumentesh”
5. Andrea Zallemi dënohet me 150 orë punë të detyruar në bashkinë Korçë.
6. Gjykata ka vendosur pushimin e çështjes për Leftjon Bardhon, për mungesë provash. Bardho, ish-kreu I hipotekës së Korçës

Artikulli paraprakPËRCILLET NË BANESËN E FUNDIT AKTORI I MIRËNJOHUR XHEVDET FERRI
Artikulli tjetërOPERACIONI ANTIDROGË ITALI-SHQIPËRI: 50 VJEÇARI ARRESTOHET NË SHKODËR