Gjykata e Hagës e dënoi me 40 vjet burgim ish liderin e serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Radovan Karaxhiç.

Ai akuzohet për krime lufte, gjenocid, persekutim, shfarosje, vrasje, dëbim…ndaj popullatës jo-serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995. Karaxhiç pas arratisjes shumëvjeçare ishte fshehur nën një identitet të rremë si, “Dr. Dabic”, dhe më pas u arrestua më 18 korrik 2008, dhe një javë më vonë nga Beogradi u ekstradua në Tribunalin e Hagës. Gjyqi i tij filloi zyrtarisht në tetor 2009 dhe përfundoi në vitin 2014. Gjatë gjykimit zyrtarisht e mbrojti veten pa praninë e avokatit, por me ndihmën e ekipit të ekspertëve ligjor. Në lidhje me vendimin e kumtuar nga gjykata, Karaxhiç dhe prokuroria e ICTY do të kenë të drejtë ankese. Aktakuza e Tribunalit të Hagës e ngarkonte Karaxhiç-in për gjenocid, pjesëmarrje në gjenocid, likuidim, vrasje, dënime të paligjshme, deportim, akte çnjerëzore dhe krime të tjera të kryera kundër myslimanëve, kroatëve dhe civilëve të tjerë, popullatës jo-serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës në ish republikën jugosllave, transmeton zeri. Në dy pika është akuzuar për gjenocid, dhe nëntë akuza tjera për persekutim, shfarosje, vrasje, deportim, akte çnjerëzore, duke terrorizuar popullsinë civile, sulme të paligjshme mbi civilët dhe marrjen peng të ndërkombëtarëve. Akuzat kundër Karaxhiç janë përmbledhur dhe janë përqendruar në spastrimin etnik në Bosnje dhe Hercegovinë në periudhën 1992-95; Fushata e terrorit kundër civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës në të njëjtën kohë, duke marrë peng personelin e OKB-së në maj dhe qershor të vitit 1995 dhe gjenocidin në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Këto krime, përveç gjenocidit, në pesë akuza janë të cilësuara si krime kundër njerëzimit dhe katër për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Karaxhiç – së bashku me komandantin e ushtrisë së RS, Ratko Mlladiç – është cilësuar si një pjesëmarrës kyç në një ndërmarrje të përbashkët kriminale qëllimi i së cilës ishte eliminimi i përhershëm i myslimanëve dhe kroatëve, me anë të krimeve, nga territoret e pretenduara nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakPROÇESIONI I MARTIRËVE, TË PREMTEN NË ORËN 19:00 NË SHKODËR
Artikulli tjetër“VRASJE ME DASHJE E MBETUR NË TENTATIVE”, ARRESTIME NË SHKODËR