Partia Demokratike denoncon se një tjetër kryebashkiak socialist i zgjedhur në 30 Qershor të vitit të kaluar në zgjedhjet lokale është me të kaluar kriminale. Sipas PD-së kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj dyshohet se ka qenë dënuar dhe më pas dënuar nga Greqia në vitit 1999-2000, por e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Për rastin, PD-ja njofton se i ka dërguar një kërkesë prokurorisë për të nisur verifikimet.
Në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, sipas njoftimit nga selia blu specifikohet se Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.
“Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO” – theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.
Partia Demokratike deklaron se sipas ligjit të dekriminalizimit pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe sjell skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik. “Në këtë rast, sjell largimin e menjëhershëm nga detyra të Kryebashkiakut të Mallakastrës dhe ndjekjen e tij penale” thotë PD-ja.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, te largojë personat me te kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje” mbyllet reagimi i PD-së.