Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara po heton ByteDance, kompaninë kineze e cila zotëron aplikacionin TikTok, për spiunim ndaj qytetarëve amerikanë, përfshirë këtu edhe disa gazetarë.
ByteDance është i vendosur në Pekin, me seli në Ishujt Kajman dhe mendohet se është i afërt me qeverinë komuniste kineze. Administrata Biden ka kërcënuar se do të ndalojë TikTok në SHBA, nëse kompania pronare kineze nuk shet aksionet e tyre.
Kompania pranoi në dhjetor se kishte marrë në mënyrë të papërshtatshme të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTok, duke përfshirë edhe ato të dy reporterëve, sipas New York Times.
Gazetarja e Forbes, Emily Baker-White, e cila e bëri të ditur historinë, shkroi se ajo ishte një nga gazetaret që i kishin marrë të dhënat, ndërsa Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi hetimin.