Numri i bankomateve me funksionin e depozitimit të parasë fizike u rrit për të shtatin vit radhazi në 2022, duke dëshmuar shtimin e investimeve të sektorit bankar për të automatizuar ofrimin e shërbimeve bankare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit të kaluar arriti në 305, me një rritje prej 23.5% krahasuar me një vit më parë. Tashmë, pothuajse 36% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash. Rritja e numrit të ATM-ve që ofrojnë shërbimin po reflektohet edhe në përdorimin më të gjerë të tyre nga shqiptarët. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar u kryen afërsisht 576 mijë depozitime cash në ATM, në rritje me 55% krahasuar me vitin 2021. Ndërsa vlera totale e depozitimeve arriti në 29.9 miliardë lekë, me një prej 50% krahasuar me një vit më parë.
Shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë është një zhvillim i rëndësishëm për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve bankare. Pagesat cash në arkë ngelen një nga arsyet kryesore të fluksit të klientëve në degët e bankave. Kjo problematikë u bë më e prekshme pas pandemisë, për shkak të kufizimit të orareve të punës, operacioneve me staf të reduktuar dhe kufizimit të numrit të personave të lejuar brenda degëve. Automatizimi i këtij shërbimi nëpërmjet ATM-ve mund të ndikojë ndjeshëm në uljen e flukseve, pakësimin e radhëve dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm. Ashtu siç prej vitesh tërheqja e parave të nevojshme për shpenzimet konsumatore bëhet prej ATM-ve, tani teknologjia mundëson të njëjtin komoditet edhe për depozitimin e tyre. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 855 ATM-ve aktive, në rritje me 4% krahasuar me një vit më parë. Numri i ATM-ve kishte rënë vazhdimisht në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare.
Por, duke filluar nga viti 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele. Paralelisht, shtimi i ATM-ve po shoqërohet edhe me përditësim të teknologjisë dhe të shërbimeve të ofruara prej tyre. Me sa duket, rritja e numrit të tyre është ende e nevojshme për të plotësuar nevojat e një shoqërie me përdorim të lartë të parasë cash dhe për të ulur flukset e klientëve në degë. Vitin e kaluar rreth 64% e veprimeve me karta bankare ishin tërheqje apo depozitime të parasë cash. Në vlerë monetare, pesha e veprimeve me paranë cash është edhe më e lartë, me rreth 85% të volumit të përgjithshëm të transaksioneve me kartë. Përqindja e veprimeve me cash-in është në rënie graduale vit pas viti, por sidoqoftë ngelet dominuese kundrejt numrit total të veprimeve që shqiptarët kryejnë me karta bankare.