Këto janë pamjet e marra paraditen e kësaj të mërkure në lagjen “Tepe” të qytetit të Shkodrës, ku fenomeni I depozitimit të mbeturinave vijon prej vitesh. Kjo zonë, mes dy lagjeve me një popullsi të dendur si “Ajasëm” dhe “Tepe” është kthyer në një landfill ndërsa institucioneve ende nuk kanë marrë masa për frenimin e fenomenit dhe vënien para përgjegjësisë penale të qytetarëve përgjegjës për ndotjen e mjedisit.
Si zgjidhje, disa herë banorët kanë gjetur edhe djegien e këtyre mbetjeve të ndryshme që depozitohen në këtë zonë, qofshin ato plastike, bimore, shtazore apo edhe inerte të ndryshme. Një fenomen I tillë edhe pse zhvillohet në mes të ditës, nuk ka angazhuar sa duhet punonjësit e policisë bashkiake për gjobitjen e përgjegjësve. Pak muaj më parë, bashkia Shkodër me vendim të këshillit bashkiak miratoi rregulloren e re për ndotësit e mjedisit, por duket se as këto masa nuk po japin rezultatin që pritej për ndërgjegjësimin dhe frenimin e rasteve të ndotjes së mjedisit.
Pas projektit të rikonstruksionit të plotë të kësaj rruge, u bë edhe pastrimi I zonës përreth, por nuk zgjati shumë si shkak I depozitimit të mbetjeve, si në rastin e kësaj të mërkure.