Ecuria e marrëveshjeve ndërinstitucionale në sfidat e përbashkëta në fushën e arsimit dhe sportit, si dhe hapësirat për bashkëpunime të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kosovës janë diskutuar sot në një takim në ambientet e MAS, gjatë një vizitë të deputetëve të komisionit të arsimit nga Kosova. Vizita e anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës, bëri bashkë deputetë të majtë e të djathtë nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Lajmin dhe fotot e takimit e ka shpërndarë në rrjetet sociale ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
“Me shumë kënaqësi prita sot në një takim të veçantë dy komisionet parlamentare të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, ku diskutuam mbi ecurinë e marrëveshjeve të lidhura në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e Arsimit dhe Sportit mes dy vendeve tona. Vlerësuam punën e përbashkët për Abetaren Unike, tekstet e diasporës, Enciklopedinë Shqiptare, pranimet e studentëve në universitetet tona, si dhe projektet në fushën e kërkimit shkencor” – shkruan Kushi.
Më tej znj. Kushi nënvizon se së bashku do të vazhdojnë punën intensive për të kapërcyer sfidat e kohës, ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë si dhe rritjen e cilësisë së arsimit për të formuar brezat e ardhshëm me aftësitë e reja të shekullit 21. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimin e përbashkët të kërkimit shkencor për faktet dhe historinë, përdorimin sa më efikas të kapaciteteve intelektuale të të dyja vendeve, jo vetëm të Shqipërisë e Kosovës, por edhe të hapësirës shqipfolëse. Po ashtu u theksua nevoja për unifikimin e teksteve historisë, gjuhës dhe letërsisë por edhe e të gjitha tekstet e mundshme. Në fokus ishte edhe Enciklopedia shqiptare, shfrytëzimi i përbashkët i infrastrukturës dhe laboratorëve të universiteteve, shkëmbimi i nismave dhe praktikave më të mira të të dyja vendeve në arsimin parauniversitar.