Deputetët e Kosovës kanë paga më të larta krahasuar me ata të vendeve fqinje.
Siç raportohet, deputetët kosovarë marrin deri në 2000 euro në muaj. Mediat në Kosovë kanë nxjerrë të dhënat e pagave mujore të shteteve të rajonit, nga ku rezulton se Kosova edhe në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë mbetet në top-listë për nga rrogat e deputetëve të saj. Paga bazë e këtyre të fundit është 1488 euro. Kësaj vlere i shtohen edhe përfitimet tjera, si pjesëmarrja në seanca plenare, në mbledhje të komisioneve, si dhe udhëtime jashtë vendit, duke kapur kështu vlerën e rreth 2000 euro. Pas deputetëve të Kosovës, në listën e më të paguarve janë ata të Malit të Zi, paga bazë e të cilëve është 1200 euro, më pas vijnë deputetët shqiptarë, me 1080, ata të Maqedonisë me 1000 dhe të Serbisë me vetëm 860 euro. Ekspertë të ekonomisë dhe analistët politikë në Kosovë thonë se, në një vend me nivel të lartë të papunësisë dhe me varfëri të madhe është e papranueshme që paga e deputetit të jetë shumëfish më e lartë sesa paga mesatare në vend.