Pas kaosit të shkaktuar në Kuvend në 2 seancat e shkuara, deputetët e opozitës kërkojnë sërish mocion me debat për cështjen e ish zyrtarit të FBI Charles McGonigal dhe takimet e tij me kryeministrin Edi Rama. Dokumenti është firmosur nga 19 deputetë ndërkohë që është kërkuar të mos ketë limit kohor.
KËRKESA DREJTUAR KUVENDIT
Ditët e fundit opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është tronditur prej një skandali të përmasave ndërkombëtare që ka përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Departamenti i Drejtësisë Amerikane, dhe media amerikane e ndërkombëtare, më 21.01.2023 është arrestuar zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhëënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
Në padinë e ngritur ndaj z. McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias (Uashington), renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe z. McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të z. Rama, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Kjo ngjarje e rëndë është bërë publike pas një hetimi të thelluar dy-vjecar nga zyra e FBI në Los Angeles ndaj dy zyrave të FBI në Nju Jork dhe Uashington, duke iu nënshtruar tashmë një procesi gjyqësor në gjykatat e këtyre dy shteteve. Njëkohësisht, duke patur parasysh se oligarku Oleg Deripaska duhet të ishte i sanksionuar edhe nga Shqipëria që prej 8 Prillit 2022, si vend kandidat që zbaton sanksionet e Bashkimit Europian, rezulton se ai vazhdon të zotërojë biznese të licensuara drejtpërdrejt nga Qeveria shqiptare, në shkelje të drejtpërdrejtë të këtij detyrimi politik dhe ligjor. Duke patur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar Edi Rama përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cënimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; si dhe, bazuar në Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh kërkon:
1. Zhvillimin e një Mocioni me Debat për çështjen “Rama – McGoginal”.
2. Kërkojmë që mocioni të mos ketë limit kohor, duke i dhënë mundësinë çdo deputeti të shprehet.
Kryetarja e Kuvendit të mbledhë menjëherë pas dorëzimit të kësaj kërkese, Konferencën e Kryetarëve, për të përfshirë në seancën më të afërt mocionin me debat për çështjen e mësipërme.